Bujqit e Pollogut, protestë për dëmshpërblimet e papaguara

13.02.2026 14:28

Bujqit e Pollogut kanë protestuar sot para Komunës së Tetovës...

Bujqit e Pollogut kanë protestuar sot para Komunës së Tetovës, siç thanë ata, për mospagesën e dëmshpërblimit nga dëmi i shkaktuar nga breshëri i para dy viteve. Ata thonë se premtime kanë pasur nga kreu i Tetovës, por edhe nga Qeveria, të cilët deri më sot nuk kanë bërë pagesën e dëmit të shkaktuar.

“Ne kemi dalë para komunës për çështjen e breshrit që u bë para dy viteve në vitin 2024. Kryetari vet na premtoi në vitin 2024 me ministrin e Bujqësisë, ishin në tokat, në të mbjellat, dhe i panë të gjithë dëmet që janë bërë, na premtoi së shpejti 35%, na premtoi nuk lëshojnë 35%, 5% Qeveria, 5% komuna. Njëherë ishte problemi i dokumenteve, (Qeveri, ministri, komunë), s’dimë ku ishte problemi. Më pas ne u takuam me kryetarin në dhjetor, na premtoi në janar, janari shkoi, ka ardhur shkurti.”, - u shpreh bujku, Osman Adili.

“Ne jemi mbledhë këtu për dëmet që na u bënë në vitin 2024 dhe asnjë përgjigje nuk kemi. Jemi nga fshati Xhepçisht, dëmi ka qenë më shumë në rajonin tonë, të dëmtuar 100%. Komisioni që doli në terren e vlerësoi dëmin 100% dhe nga ajo ditë e deri më tani asgjë s’kemi. Asnjë informatë nuk kemi   nga komuna, s’kemi as 5% dhe ne kërkojmë të jemi të barabartë me Maqedoninë Lindore. Në Maqedoninë Perëndimore jemi të lënë pas dore ne bujqit. Edhe ne jemi qytetarë të këtij vendi.”, - theksoi bujku, Muharem Isaku.

Komuna vazhdon të premtojë. Me një komunikatë me shkrim ata thonë se brenda muajt bujqve do t’u paguhen dëmet.

“Institucionet përkatëse kanë përfunduar procedurat administrative të nevojshme, duke hapur rrugën për realizimin e pagesave. Sipas dinamikës së paraparë, kompensimi për bujqit e dëmtuar pritet të ekzekutohet deri në fund të këtij muaji.”, - thuhet në komunikatën e Komunës së Tetovës.

Bujqit paralajmëruan se, në rast se nuk lëshohen mjetet në kohë, protesta e tyre do të vazhdojë. (Visar Sadiku, TVM2)