Bie numri i rasteve të gripit, 1.306 raste në një javë

13.02.2026 14:39

Instituti i Shëndetit Publik ka njoftuar...

Instituti i Shëndetit Publik ka njoftuar se gjendja me gripin po shënon ulje. Sipas këtyre të fundit, numri i të prekurve nga gripi ka shënuar rrënie për 12.8%. Sipas IShP-së, gjatë javës së kaluar, respektivisht nga data 2 deri më 8 shkurt janë raportuar gjithsej 1.306 raste të prekur nga gripi ose sëmundjet e ngjashme me gripin, ose për 12.8% më pak se javën që shkoi, ku ishin regjistruar gjithsej 1.498 persona të prekur.

Nëse i krahasojmë këto numra me numrat e një viti më parë të së njëjtës periudhë, mund të konstatojmë se numri i të prekurve nga gripi është më i ulët për 1.574 të prekur.  

“Gjatë javës së gjashtë të vitit 2026, nga 2 deri më 8 Shkurt të vitit 2026 në Republikën e Maqedonisë së Veriut janë raportuar 1.306 raste të të prekurve nga gripi ose sëmundjet e ngjashme me gripin, ose për 12.8% më pak se javën që shkoi ku ishin regjistruar 1.498. Në javën e gjashtë të vitit të kaluar janë regjistruar 2.880 të sëmurë ose rënie për 54.7%, ndërsa krahasuar me modelin për 15 sezonet e fundit është regjistruar një rënie prej 46.7 për qind. Numri më i madh i të infektuarve të rinj, përkatësisht 715 persona janë të moshës 15 deri në 64 vjeç, 228 prej të infektuarve janë fëmijë të moshës 5 deri në 14 vjeç, 184 të infektuar janë fëmijë të moshës 0 deri në 4 vjeç dhe 179 janë persona mbi 65 vjeç. Incidenca më e lartë është regjistruar tek fëmijët e moshës 0 deri në 4 vjeç.”, - thanë nga Instituti i Shëndetit Publik.

Nga IShP-ja po ashtu kanë apeluar edhe për masat e parandalimit.  “Evitoni grumbullimin dhe qëndrimin në dhoma ku qëndrojnë më shumë njerëz. Lani duart shpesh me sapun dhe ujë ose me dezinfektues. Ngrohni dhomat në të cilat qëndroni dhe ajrosini ato shpesh.”, rekomandojnë nga IShP-ja. (Fitim Kryeziu, TVM2)