RMV-ja dhe ShBA-ja forcojnë partneritetin ekonomik
Maqedonia dhe ShBA-ja kanë rënë dakord...

Maqedonia dhe ShBA-ja kanë rënë dakord për një kornizë të re për tregti reciproke, të drejtë dhe të balancuar.
Marrëveshja përfshin tarifat, barrierat jotarifore, tregtinë digjitale, energjinë, sigurinë ekonomike dhe mbrojtjen e mjedisit. ShBA-ja do të mbajë tarifë 15% për produktet maqedonase, por për disa produkte strategjike tarifa do të hiqet.
“ShBA-ja do ta mbajë tarifën reciproke prej 15% për produktet me origjinë nga vendi ynë, ndërsa paralelisht dhe kjo është thelbi i suksesit, do të identifikohen produkte që do të përfitojnë tarifë reciproke deri në 0%. Me fjalë të tjera, për një pjesë të industrive dhe produkteve kyçe, tarifat do të ulen në zero.”, - deklaroi ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski.
“Kjo deklaratë është një sinjal i qartë për thellimin e partneritetit strategjik dhe konfirmim i mbështetjes së fortë që Maqedonia gëzon nga ShBA-ja. Ajo hap rrugën për një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do të garantojë tarifa jo më të larta se 15%, ndërsa për disa produkte dhe industri ato mund të ulen deri në 0%, duke krijuar mundësi të reja për eksport, investime dhe rritje ekonomike. Me këto hapa, forcojmë pozicionin e Maqedonisë si partner i besueshëm dhe i parashikueshëm, ndërtojmë një ekonomi me standard më të lartë dhe përmirësojmë pozitën tonë ndërkombëtare.”, - theksoi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.
Sipas marrëveshjes, Maqedonia do t’i heqë tarifat për të gjitha produktet industriale dhe bujqësore amerikane, për shërbimet digjitale dhe transmetimet elektronike, si dhe do të blejë gaz natyror të lëngshëm amerikan përmes interkonektorit të ri të gazit nga Greqia.
“Agjenda tregtare e presidentit Tramp thellon lidhjet tona transatlantike me një partner kyç në rajonin e Ballkanit. Ky njoftim vendos themelet për një marrëveshje për tregti reciproke, me qëllim avancimin e partneritetit tonë ekonomik, duke hequr njëkohësisht pengesat administrative për fermerët dhe prodhuesit amerikanë.”, - thanë nga Zyra e përfaqësuesit të ShBA-së për Tregti.
Edhe ministri i Ekonomisë i Maqedonisë së Veriut, Besar Durmishi, e ka vlerësuar si hap të rëndësishëm këtë marrëveshje të arritur.
“Eliminimi i tarifave doganore për mallrat amerikane në tregun tonë është një sinjal për hapje, konkurrencë dhe integrim më të thellë në tregjet globale. Një ekonomi e hapur dhe konkurruese krijon kushte për rritje më të qëndrueshme, përmirësim të standardeve dhe nxitje të investimeve të huaja.”, - deklaroi ministri i Ekonomisë i Maqedonisë së Veriut, Besar Durmishi.
ShBA-ja dhe Maqedonia detyrohen për konsultime për parandalimin e pengesave ndaj plasmanit të produkteve bujqësore amerikane, për forcimin e mbrojtjes së pronësisë intelektuale, për të drejtat e punëtorëve dhe për bashkëpunimin në fushën e sigurisë ekonomike dhe kombëtare.
Të dy vendet do të finalizojnë tekstin dhe procedurat para hyrjes në fuqi të marrëveshjes. (Armend Murseli, TVM2)
