KShPK: Anëtarja Cveta Ristovska dha dorëheqje

13.02.2026 14:59

Anëtarja e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Cveta Ristovska...

Anëtarja e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Cveta Ristovska, ka paraqitur dorëheqje të parevokueshme nga funksioni te kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi. Ajo ka nënvizuar se vendimin e ka marrë pas polemikave publike disa javore dhe dyshimeve të ngritura në lidhje me punën e saj në Komision.

Ajo pretendon se gjatë gjithë karrierës profesionale ka punuar në mënyrë të ligjshme dhe me ndërgjegje. Në shkresën drejtuar Kuvendit, Ristovska thekson se kurrë nuk ka pasur qëllim të fshehë informacione.

"Më vjen keq nëse rrethana të caktuara, duke përfshirë boshllëqe të mundshme administrative në ligj, kanë shkaktuar dyshime publike. Në të gjitha situatat gjatë punës sime në Komision, në të cilat kishte mundësi të një konflikti të mundshëm interesi, unë isha subjekt i përjashtimit, në përputhje me ligjin. Nuk kam pasur kurrë ndërmend të fsheh informacione, përkundrazi, kam respektuar detyrimet e mia ligjore.".

Situatës së krijuar i paraprinë dy lëndë të hapura nga Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit për kontroll të konfliktit të interesit dhe mosdeklarim të pronës. Lënda e parë ka të bëjë me atë se një firmë marketingu në pronësi të njërit nga djemtë e saj ka marrë para në fushatën për zgjedhjet presidenciale në vitin 2024.

Lënda e dytë ka të bëjë me atë që Ristovska nuk i ka deklaruar firmat e fëmijëve të saj në listën e saj anketuese.

Vitin e kaluar, dorëheqje dha edhe kryetarja e atëhershme e KShPK-së, Tatjana Dimitrovska, pasi ndaj saj u paraqit propozim-akuzë për zbulim të sekretit zyrtar dhe falsifikim kompjuterik, të lidhura me rastin “Aditiv”. (Florije Kamberi, TVM2)