Maqedoni

Shkarkimi i kryesisë qendrore të Lëvizjes Besa, Mexhiti: Punojmë drejt shkrirjes në një parti

13.02.2026 15:17

Integrimi i Koalicionit VLEN në një subjekt politik...

Integrimi i Koalicionit VLEN në një subjekt politik, me shkarkimin e kryesisë qendrore të partisë, përshëndetet nga kryetari i LD-së, Izet Mexhiti. Ai thotë se hapi i tillë është veprim drejt transformimit në një parti, të cilën do ta ndjekin edhe partitë tjera brenda Koalicionit VLEN.
 
“Bashkërisht po punojmë për shkrirjen, fizionimin, sepse është kërkesë e elektoratit, kërkesë e strukturave dhe mendoj që është vlerë e shtuar e politikës, vlerë e shtuar edhe për organizimin politik shqiptar. Pra, VLEN-i është synim i përbashkët dhe në këtë drejtim hapin që e ndërmori BESA dhe zoti Bilall Kasami unë e përshëndes dhe besoj që së shpejti do ta përcjellin edhe subjektet tjera brenda VLEN-it, sepse është në interes të të gjitha subjekteve dhe në interes të organizimit politik të shqiptarëve për një organizim më të mirë.”, - deklaroi Izet Mexhiti nga Koalicioni VLEN.
 
Kryesimi i VLEN-it, Mexhiti: Po debatojmë disa modele
 
Ndërkohë nëse është ende në lojë ideja e bashkëkryesimit me dy liderë, Mexhiti thotë se janë disa modele duke u shqyrtuar, për të zgjedhur të duhurin. 
 
“Ideja e bashkëkryetarëve është një prej ideve kreative, të cilat ndoshta nuk janë karakteristike për këtë nënqiell, por i njeh bota demokratike, i njohin dhe është vlerë evropiane, e kemi edhe në Republikën e Kosovës, është Lëvizja Guxo, por ka edhe modele të tjera, po debatohet me pro dhe kundër argumente, krejt kjo në funksion për të zgjedhur modelin më të mirë dhe për ta faktorizuar dhe fuqizuar VLEN-in në përgjithësi.”, - theksoi Izet Mexhiti nga Koalicioni VLEN.
 
Sa i takon përplasjeve midis Kasamit dhe Mickoskit për rikonstruimin e Qeverisë dhe shkarkimin eventual të ministrit Limani, Mexhiti u shpreh se është çështje e Besës , të cilën do ta tejkalojnë. Por, vetë Kasami vazhdon të mbetet në qëndrimin e tij edhe pas mbledhjes partiake.
 
“Derisa ne do të jemi pjesë e asaj qeverie, do të kemi të drejtën e plotë të propozojmë ministrat tanë në Qeveri.”, - u shpreh Bilall Kasami nga koalicioni VLEN.
 
Kasami gjithashtu hapi dilemat rreth shkarkimit të ministrit të Drejtësisë, Fillkov, me ndryshimet e reja të kabinetit Mickoski, që do të ndodhin në qershor. Deklarata e tillë u ndesh me qëndrimin e ministrit Fillkov dhe kryeministrit Mickoski.
 
MERAL ISMAILI