Botë
Rezoluta për Hagën, LDK-ja sqaron pse nuk e votoi Rezolutën
13.02.2026 16:30
Kuvendi i Kosovës ka miratuar Rezolutën për Hagën me 90 vota për, 1 kundër...

Rezoluta kërkon angazhim dhe respektim të ligjit dhe të drejtës ndërkombëtare nga Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Rezoluta u votua nga deputetët e Vetëvendosjes dhe PDK-së, por jo edhe nga ata të Lidhja Demokratike e Kosovës. Kjo e fundit ka sqaruar se deputetët e LDK-së kërkuan që Rezoluta të përfshinte qartë dhe pa ekuivokë edhe obligimin institucional për zbardhjen e të gjitha vrasjeve të pazbardhura pas luftës, përfshirë vrasjet politike dhe se “Ky është borxh ndaj viktimave, ndaj shoqërisë dhe ndaj vetë shtetit të Kosovës”.
"Lidhja Demokratike e Kosovës beson se Kuvendi i Republikës së Kosovës ka detyrim historik dhe politik të flasë me një zë të përgjegjshëm, të plotë dhe të drejtë për drejtësinë, jo me rezoluta të pjesshme dhe selektive. LDK-ja e mbështet fuqishëm parimin e gjykimit të drejtë, të paanshëm dhe në përputhje me standardet më të larta kushtetuese e ndërkombëtare për çdo qytetar të Kosovës. Kjo është vlerë themelore e shtetit ligjor dhe e orientimit euroatlantik të Republikës sonë. Megjithatë, drejtësia nuk mund të trajtohet si koncept i fragmentuar. Ajo ose vlen për të gjithë, ose rrezikon të humbasë legjitimitetin e saj. Për këtë arsye, deputetët e LDK-së kërkuan që Rezoluta të përfshinte qartë dhe pa ekuivokë edhe obligimin institucional për zbardhjen e të gjitha vrasjeve të pazbardhura pas luftës, përfshirë vrasjet politike.", theksuan nga LDK-ja.
Parlamenti Studentor në mbështetje të protestës së 17 shkurtit
Ndërkohë Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës ka organizuar një aktivitet para Zyrave të Bashkimit Evropian për të paraqitur qëndrimin publik lidhur me gjyqin ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së në Hagë. Përfaqësuesi i Parlamentit Studentor, Donart Humolli, tha se studentët e Universitetit të Prishtinës, së bashku me organizatat e tjera studentore, e kuptojnë kompleksitetin e drejtësisë dhe rëndësinë e sundimit të ligjit si themel i Bashkimit Evropian.
‘Sot jemi këtu si studentë të Universitetit të Prishtinës, së bashku me Parlamentin Studentor dhe të gjitha organizatat studentore, në një ditë me domethënie për institucionin tonë, por edhe për shoqërinë tonë. Universiteti i Prishtinës ka qenë historikisht një hapësirë e dijes, e përgjegjësisë qytetare dhe e qëndrimit për vlera. Ne e kuptojmë se drejtësia është një proces kompleks, sidomos kur bëhet fjalë për plagë të mëdha historike. Ne po ashtu e kuptojmë se sundimi i ligjit është një prej themeleve të Bashkimit Evropian, dhe se besimi në drejtësi është kusht për paqe dhe stabilitet afatgjatë.”, - theksoi Donart Humolli nga Parlamenti Studentor.
Humolli theksoi se studentët nuk kërkojnë trajtim të veçantë për ish-pjesëtarët e UÇK-së, por drejtësi të barabartë, transparente dhe të bazuar në prova, prandaj mbështesin protestën e 17 shkurtit.
GYLTENE SINANI
