Botë
Ukraina në fokus në Mynih, diskutime për luftën dhe mbështetjen ndaj Kievit
13.02.2026 16:53
Përpjekjet e Uashingtonit për një marrëveshje paqeje midis Kievit dhe Moskës...

Përpjekjet e Uashingtonit për një marrëveshje paqeje midis Kievit dhe Moskës nuk tregojnë shenja të mëdha përparimi. Sulmet ruse vazhdojnë. Sekretari i Shtetit i ShBA-së, përpara turneut evropian, theksoi përpjekjet për t’i dhënë fund luftës.
Për marrëdhëniet e tensionuara transatlantike, Rubio tha se ShBA-ja dhe Evropa janë thellësisht të lidhura, por duhet të diskutojnë se si do të duket e ardhmja e tyre e përbashkët.
“Është e tmerrshme. Është luftë, prandaj duam që të përfundojë. Njerëzit po vuajnë. Kjo është periudha më e ftohtë e vitit. Është një vuajtje e paimagjinueshme. Prandaj, luftërat janë të këqija dhe për këtë kemi punuar kaq shumë për më shumë se një vit që ta përfundojmë këtë.”, - deklaroi sekretari i shtetit i ShBA-së, Marko Rubio.
Zyrtarët evropianë nuk presin rezultate konkrete nga takimi treditor në Mynih, përveç deklaratave të reja për mbështetje ndaj Kievit. Presidenti ukrainas pret mbështetje të shpejtë dhe konkrete për vendin.
“Rusët nuk duhet të mësohen me idenë se raketat dhe dronët e tyre “Shahed” u sjellin ndonjë përparësi. Ata vetëm e komplikojnë situatën dhe minojnë mundësitë diplomatike, të cilat, sinqerisht, tashmë janë të kufizuara. Prandaj, është e nevojshme mbështetja për Ukrainën. Është i domosdoshëm presioni i fortë ndaj Rusisë. Lufta duhet të përfundojë me siguri të garantuar dhe absolutisht pa asnjë shpërblim për agresorin.”, - theksoi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Aleatët dje në Bruksel premtuan rreth 35 milionë dollarë ndihmë ushtarake për vitin 2026 në kuadër të programit të NATO-s për dërgimin e shpejtë të armëve në Kiev.
“Aleatët njoftuan qindra milionë dollarë shtesë për Listën Prioritare të Nevojave të Ukrainës. Ata po sigurojnë, siç e dini, më shumë pajisje amerikane që vendit i nevojiten urgjentisht për t’u mbrojtur. Dua të falënderoj Mbretërinë e Bashkuar, Islandën, Norvegjinë, Suedinë dhe Lituaninë për kontributet e tyre, ndërsa shumë të tjerë kanë njoftuar se po shqyrtojnë aktivisht kontribute shtesë në ditët dhe javët e ardhshme.”, - u shpreh sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute.
KB kërkon ndalimin e sulmeve ndaj popullsisë civile dhe infrastrukturës energjetike.
“Në Kiev dhe në qytetet Harkiv dhe Odesa, pothuajse pesë mijë ndërtesa shumëkatëshe banimi kanë mbetur sërish pa ngrohje. Në Odesa, sulmet ndërprenë furnizimin me ujë për pothuajse 300 mijë banorë.”, - deklaroi zëdhënësi i OKB-së, Stefan Dujarriq.
Sipas njoftimeve, ShBA-ja, Rusia dhe Ukraina planifikojnë të takohen sërish javën e ardhshme, ndoshta në Majami ose Abu Dhabi.
BELINDA KOKA ADEMI
