Maqedoni
Narko skandali, VMRO: Prokuroria të hetojë Filipçen dhe Zaevin
14.02.2026 14:41
VMRO fton prokurorinë publike të hetoj relacionet jo vetëm të Filipçes por edhe Zaevit...

Fotografia e kryesocialdemokratit Venko Filipçe me pronarin e fabrikës ilegale të marihuanës Toni Kotev, të cilit i’u konfiskuan 30 tonë drogë, ngre dyshimet të përfshirjes së Filipçes në narko kontrabandën ilegale. Pretendimi i tillë vjen nga selia e VMRO – DPMNE-së të cilët në një konferencë për media thanë se imazhi flet për bashkëpunim të ndërsjellë. VMRO fton prokurorinë publike të hetoj relacionet jo vetëm të Filipçes por edhe Zaevit me 30 tonë marihuanë të sekuestruar.
“Dhe në vend që LSD dhe Filipçe të ndryshojnë qëndrime dhe t’i ikin përgjegjësisë, ata duhet t’i përgjigjen publikut pse janë kaq të shqetësuar dhe histerikë për sekuestrimin e këtyre 30 tonëve drogë? Mos vallë frika është provokuar nga përfshirja e Filipçes dhe Zaevit në trafikun e drogës? Prej nga e dinte Filipçe se sa kamionë nevojiten për një sasi të caktuar droge? A u bë ndryshimi në Rregulloren e Kultivimit të Kanabisit nga viti 2023 për të lehtësuar biznesin e drogës?”, u shpreh Brane Petrushevski nga VMRO – DPMNE.
LSDM: Përgjegjësia bie mbi supet e pushtetit
Nga LSDM thonë se përgjegjësia për kontrabandën e pesë tonëve drogë dhe marihuanën e sekuestruar bie mbi majën e pushtetit.
“Për të prodhuar 100 ton marihuanë, nevojitet një sipërfaqe prej mbi 30 hektarësh, e cila është e barabartë me sipërfaqen e mbi 40 stadiumeve të futbollit. Pra, kush në qeveri lejoi që një sipërfaqe e tillë të kultivohej në Maqedoni? Pse qeveria nuk bëri asnjë inspektim në terren? Pse nuk reagoi Ministria e Brendshme, e Shëndetësisë, e Bujqësisë apo inspektoratet? Dy vjet pa bërë asgjë? Si shërbimet e sigurisë nuk e vunë re një sasi kaq të madhe marihuane? Çfarë bënë ASK dhe Agjencia e Kundërzbulimit? Si u mbajt, u ruajt, u paketua në kuti?”, pyesin nga LSDM.
Socialdemokratët kërkojnë përgjegjësi duke filluar nga kryeministri Mickoski, i pasuar nga ministri i brendshëm Toshkovski dhe funksionarë të tjerë.
MERALE ISMAILI
