Maqedoni

Zgjerimi i rrugës “Cvetan Dimov” në Çair, projekti pritet të realizohet deri në vitin 2028

14.02.2026 15:31

Rruga “Cvetan Dimov” në Çair çdo ditë shndërrohet në pikë bllokimi për mijëra qytetarë që përballen me kolona dhe pritje të gjata...

Rruga “Cvetan Dimov” në Çair çdo ditë shndërrohet në pikë bllokimi për mijëra qytetarë që përballen me kolona dhe pritje të gjata. Kaosi në këtë segment ka qenë prej kohësh një nga problemet më të theksuara të komunikacionit në kryeqytet. Por, shumë shpejt kjo rrugë pritet të zgjerohet dhe rikonstruohet, pas vendimit të miratuar nga Këshilli i Qytetit të Shkupit. Megjithatë, qytetarët mbeten skeptikë nëse punimet do të përfundojnë brenda afateve të caktuara dhe nëse do të zgjidhet përfundimisht problemi i kaosit të përditshëm në këtë segment rrugor.
 
“Prej orës 12 e tutje komunikacioni është shumë i ngarkuar. Unë nuk kam veturë, por kanë djemtë, dhe kur dal në trafik më merr një orë. Thuhet se do të rikonstruohet, por unë nuk besoj kurrë në këtë.”, u shpreh një qytetar. 
 
“Trafiku është i ngarkuar prej orës 12:00 deri në orën 16:00. Duhen 10 deri në 15 minuta të kalosh 500 metra rrugë. Që sa kohë flitet se do të realizohet projekti; uroj që këtë vit të përfundojë përfundimisht.”, tha një qytetar.
 
“S’ka periudhë që nuk është këtu i ngarkuar trafiku, 24 orë. Kurrë nuk besoj që do të realizohet projekti. U plakëm me premtime; ata e kanë ngushtuar rrugën, ju prisni që ta zgjeroni.”, u shpreh një qytetar.
 
“Pothuajse çdo herë ka ngarkesë në trafik, pak lirohet pas orës 18:00 ose 19:00 në mbrëmje. Ndonjëherë na duhen 40 minuta për të shkuar nga Bit Pazar deri te Veroja. Nuk besoj se kjo zgjidhet, sepse çdo shtëpi ka nga dy deri në tre vetura.”, tha një qytetar.
 
“Tepër ngarkesë ka, nuk mund të marrim frymë. Në mëngjes sidomos ka shumë rrëmujë. Këtu është nyja më e madhe në këtë rajon. Këtu vinë dhe parkojnë shumë vetura.”, u shpreh një qytetar.
 
Këshilltarët e Koalicionit VLEN i dhanë dritë jeshile projektit që do të transformojë rrugën në Çair në një bulevard urban me qarkullim më të lehtë dhe siguri më të madhe për qytetarët. Sanije Duraku, pjesë e këshillit theksoi se ky hap është i rëndësishëm për modernizimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të lagjes.
 
“Projekti parasheh që të duket kështu, shembull do të kemi zgjerim, do të shtohen korsitë për makina, do të kemi edhe korsi për biçikleta, në mes parashihet që të ketë edhe gjelbërim, do të zgjerohen trotuaret, pasi që e kuptojmë se qytetarët janë të revoltuar, shkaku se edhe trotuaret aktuale shfrytëzohen nga makinat për parkim. Përveç që do t’i japë një pamje urbane komunës së Çairit, pasi që është edhe arteria kryesore që e lidh Çairin me Qendrën, por edhe Qendrën me autostradën. Shembull, nëse një qytetar vjen nga Tetova dhe ka punë në qytet, përse duhet të vijë prej në Saraj, në Gjorçe, Karposh, Qendër, kur mundet faktikisht të lidhet prej autostradës edhe të vijë. Kjo, përveç faktit që është një projekt që do t’i japë pamje moderne komunës së Çairit, gjithashtu ajo që është më me rëndësi do t’u japë edhe siguri si këmbësorëve, ashtu edhe automjeteve, pasi që e dimë se kjo është një pikë e zezë. Këtu shumë shpesh kanë ndodhur aksidente, ku kanë qenë edhe fatale, njerëzit kanë humbur jetë, edhe besojmë edhe urojmë që realizimi i këtij projekti ta ulë edhe numrin e aksidenteve, por edhe të jetë në shërbim të mirë për qytetarët.”, u shpreh Sanije Duraku, këshilltare në qytetin e Shkupit nga Koalicioni VLEN.
 
Në fillim të vitit 2026, Këshilli i Qytetit të Shkupit miratoi vendimin për nisjen e projektit të zgjerimit dhe rikonstruksionit të rrugës, në bashkëpunim me Komunën e Çairit. Projekti kap vlerën prej 150 milionë denarësh dhe parashihet të realizohet deri në vitin 2028.
 
FARIJE DAUTI BAKIU