Ekonomi

Marrëveshja strategjike me SHBA-në, përfiton ekonomia, përforcohen raportet

14.02.2026 15:41

Mucunski thotë se me këtë marrëveshje vendi po përfiton kushte relativisht të favorshme në marrëdhëniet ekonomike me ShBA-të...

Përmirësimi i ekonomisë vendore dhe zhvillimi i marrëdhënieve strategjike me SHBA, parashikon marrëveshja me partnerin tonë strategjik, thotë ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski. Ai thotë se me këtë marrëveshje vendi po përfiton kushte relativisht të favorshme në marrëdhëniet ekonomike me Shtetet e Bashkuara.
 
“Përskaj tarifës prej 15%, që është e ulët në krahasim me vendet e rajonit, por edhe në krahasim me vende tjera në botë dhe hapjen e mundësive për tarifa deri në zero përqind për degë specifike dhe prodhime që janë të rëndësishme për ne në pjesën e eksportit drejt SHBA-ve. Qëllimi janë kushtet më të mira për ne edhe në pjesën e energjetikës edhe në pjesën e transforimimit digjital.”, u shpreh ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski.
 
Komuniteti i biznesit përshëndeti këtë hap. Informacioni i detajuar për kushtet e eksportit në tregun amerikan do t’u mundësojë bizneseve vendase planifikim më të qartë dhe shfrytëzim më efikas të mundësive për eksport, vlerëson kryetari i LOE-së, Goran Gjorgjievski.
 
“Tarifat  prej 15% për eksport në SHBA gjithashtu në një pjesë esenciale është 0% për prodhime apo industri të cilat do ti eksportojmë atje. Në fakt që në mënyrë adekuate do të përcaktohen në procesin e mëtejmë është një informacion shumë i rëndësishëm për kompanitë të cilat kanë kapacitet eksportues, për të eksportuar mallra në atë treg.”, u shpreh kryetari i LOE-së, Goran Gjorgjievski.
 
Nga ana tjetër, profesori universitar Zoran Ivanovski vlerëson se çdo marrëveshje e qeverisë që synon lehtësimin e shkëmbimit ndërkombëtar dhe uljen e tarifave doganore duhet të sjellë përfitime për ekonominë kombëtare.
 
“Të gjitha marrëveshjet të cilat qeveria jonë i bën edhe në drejtim të lehtësimit të shkëmbimit ndërkombëtarë, por edhe në drejtim të lehtësimit dhe uljes së tarifave doganore, do të duhej të nënkupton përfitim për ekonominë tonë kombëtare, e shprehur si rritje e ardhshme e Produktit Bruto të Brendshëm, përmirësimin e gjendjes në bilancin e pagesave dhe devizave rezerve të vendeve.”, u shpreh profesori universitar Zoran Ivanovski.
 
Maqedonia e Veriut në SHBA eksporton duhan, ajvar, çokollada, kontensator elektrik, municione dhe makineri tjera, përçues elektrik për telekomunikacion. Përskaj kësaj nivel i madh eksportohen edhe autobusët e Van Hol, të cilët para se të shkojnë në SHBA shkojnë në fabrikën amë në Belgjikë ku finalizohet prodhimi dhe pastaj transportohen. Sipas Entit për Statistikë, vitin e kaluar shkëmbimi tregtar me SHBA ka qenë 481,9 milion dollarë, prej të cialve importi ka qenë 248, ndërsa eksporti 233, 4 milion dollarë. 
 
ERSAN PAJAZITI