Botë

Qeveria “Kurti 3” mes sfidave politike dhe ekonomike

14.02.2026 16:16

Fundi i një maratone të lodhshme zgjedhore solli në jetë kabinetin e ri qeveritar në Kosovë....

Fundi i një maratone të lodhshme zgjedhore solli në jetë kabinetin e ri qeveritar në Kosovë. Për analistin Albinot Maloku, qeveria "Kurti 3" po nis rrugëtimin me një standard të ulur të kërkesës, ku primare ishte thjesht formimi i institucioneve dhe jo vizioni i qartë. Sfidat reale që peshojnë mbi tavolinën e kryeministrit mbeten politika e jashtme, me theks të veçantë dialogu me Serbinë. 
 
“Nga fjalimi i ekspozesë së Kryeministrit Kurti, shohim se ai do të përpiqet të përqendrojë vëmendjen te ky dialog. Gjithashtu, premtohet rikthimi i vëmendjes te nevojat imediate si: pozicioni energjetik i Kosovës (që vazhdon të mbetet sfidë), zhvillimi ekonomik dhe investimet.”, u shpreh analisti Albinot Maloku.
 
Në rrafshin ekonomik, Kosova po kalon një periudhë pa investime të mëdha kapitale, ndërsa kriza energjetike mbetet një kërcënim konstant. Maloku tërheq vërejtjen se këtë herë, populli do të pret rezultate të prekshme.
 
“Në periudhën pesëvjeçare të qeverisjes, nuk është se kemi parë zhvillim ekonomik apo investime të rëndësishme në vend. Qeveria po vepron në mënyrë të shpejtë duke kaluar fazat, por duhet që me këtë ritëm të angazhohet edhe në jetësimin e premtimeve dhe planeve, pasi në fund është populli ai që do të gjykojë votën e dhënë për zhvillimin e Kosovës.”, tha Maloku.
 
Me një ritëm të shpejtë të kalimit të fazave politike, sipas Malokut, qeverisë "Kurti 3" i duhet tani të vërtetojë nëse mund t'i kthejë premtimet në mirëqenie. 
 
ERSAN PAJAZITI