Prezantim i programit të BE-së "Horizont 2020"

04.06.2015 10:05

Fondi për inovacione dhe zhvillim teknologjik në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, sot dhe nesër në Fakultetin për teknologji elektroteknike dhe informatike (FTEI) në Shkup organizon prezantim të mundësive të programit "Horizont 2020" përmes studimeve të rastit...

Qëllimi i prezantimit është që t'i njoftojë kandidatët e interesuar me detajet nga programi i ri i BE-së për hulumtim dhe për mënyrën e aplikimit.

Prezantimin do ta mbajë dr. Petar Mogjuroski, ekspert në sferën e menaxhimit me inovacione, bashkëpunim midis industrisë dhe aktivitetit hulumtues dhe transfer të teknologjive. Përmes studimeve të rastit ai do t'i elaborojë elementet që do të kontribuojnë për krijimin e bazës solide për përgatitje të suksesshme të projekteve.

Programi kornizë për hulumtim dhe inovacione (2014-2020) "Horizont 2020" është instrument financiar i BE-së me të cilin mbështeten hulumtimet dhe inovacionet, me qëllim përfundimtar të rritjes më të madhe ekonomike, krijim të vendeve të reja të punës dhe konkurrencë më të madhe.

Për gjashtë vitet e ardhshme, programi disponon me buxhet prej mbi 70 miliardë euro dhe është i hapur për pjesëmarrje të spektrit të gjerë të organizimeve dhe hulumtuesve individualë: universitete, qendra hulumtuese, laboratore, kompani multinacionale, ndërmarrje të vogla dhe të mesme, organizata joqeveritare, shoqata të gazetarëve, administratë publike, fonde, vetëqeverisje lokale.

Për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme ka instrument special të dizajnuar me të cilin financohen tre faza: përgatitje, hulumtim dhe zhvillim dhe komercializim dhe hyrje në treg.