Maqedoni
LSDM dhe VMRO-DPMNE përplasen, akuza për tenderë dhe marihuanë
15.02.2026 14:46
Paritë politike shkëmbejnë akuza për tenderë të kurdisur dhe lidhje me biznesin e marihuanës....

Paritë politike shkëmbejnë akuza për tenderë të kurdisur dhe lidhje me biznesin e marihuanës. LSDM akuzon se përderisa nuk ka para për rritje pagash për punëtorët, nuk ka mbështetje të mjaftueshme për bujqit, dhe nuk rritet paga minimale, po derdhen para të majme përmes tenderëve për kompani të afërta me pushtetin.
“Kompania „Lendi Grup“ DOOEL Shkup, ka fituar 74 tenderë në vlerë prej 17,6 milionë eurosh brenda vetëm dy viteve. Rritja e papritur e kontratave të lidhura fillon në vitin 2024, vazhdon gjatë 2025-ës dhe shtrihet deri më sot. Vetëm vitin e kaluar janë lidhur 59 kontrata, kryesisht me komuna të udhëhequra nga VMRO. Në mënyrë simptomatike, vlera e këtyre kontratave pothuajse përputhet plotësisht me vlerën e parashikuar të tenderëve.”, u shpreh Aleksandar Sasha Dimitrijeviç nga LSDM.
Nga VMRO-DPMNE kundërpërgjigjen duke thënë se LSDM po bën politikë populiste, ndërsa sqarojnë se kompani të njëjta kanë fituar tenderë edhe në kohën kur social-demokratët kanë qenë në pushtet.
“LSDM që numëron këto tenderë në dy vitet e fundit duhet ta zgjerojë llogaritë në vitet e kaluara, kur ata kanë qenë në pushtet dhe do të vijnë në konstatim se e njëjta kompani, ndoshta edhe dyfishin e ka fituar kur institucionet I kanë udhëhequr LSDM së bashku me BDI-në.”, u shpreh Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE.
Nga “Pallati i bardhë” ndërkohë akuzojnë kryetarin e LSDM-së Venko Filipçe për lidhje me biznesin e marihuanës.
“Kompania CBT Medplant e Toni Kotevit, së cilës i janë sekuestruar 30 tonë drogë, fiton miratim nga qeveria për kultivim të marihuanës për qëllime mjekësore në vitin 2020. Në atë periudhë Filipçe ka qenë ministër i shëndetësisë dhe personalisht i ka miratuar licencat për kultivimin e marihuanës, me çka jo vetëm që ka bashkëpunuar me Kotevin, por edhe e ka ndihmuar të merret me këtë biznes.”, akuzoi Petrushevski.
Nga LSDM pretendimet e VMRO-DPMNE-së i quajnë si tentim për defokusim, ndërsa bëjnë thirrje që partia në pushtet të përgjigjet qartë se si kanë kaluar 5 tonë marihuanë nga kufiri.
“Nga DPMNE-ja shohim se në periudhën e kaluar nuk kanë dhënë përgjigje për asnjë pyetje dhe po bëjnë një defokus klasik të opinionit nga temat thelbësore. A kemi ndonjë përgjigje se si kanë kaluar 5 tonë drogë përmes kufirit? A kemi përgjigje për të gjitha ato tema dhe skandale që i ngremë si pyetje, lidhur me kompani të afërta me DPMNE-në.”, tha Dimitrijeviç.
Sipas LSDM-së lidhja e kompanive shkon drejtpërdrejtë në kabinetin e Mickoskit.
ERSAN PAJAZITI
