Maqedoni

Dëme të mëdha nga reshjet, përmbyten disa fshatra në komunën Saraj

15.02.2026 15:16

Si pasojë e reshjeve të rrëmbyeshme të shiut janë përmbytur disa fshatra të komunës së Sarajit...

Si pasojë e reshjeve të rrëmbyeshme të shiut janë përmbytur disa fshatra të komunës së Sarajit. Situata më e rënduar është në Bukoviç, Semenisht dhe Arnaqi. Kryetari i komunës, Muhamed Elmazi, së bashku me zëvendës kryeministrin e parë Bekim Sali, ministrin e Ekologjisë Muhamet Hoxha dhe drejtorin e QMK-së Muhamed Ali kanë dalë në terren për të monitoruar gjendjen dhe për të vlerësuar dëmet e shkaktuara.
 
“Qysh herët në mëngjes jemi në terren së bashku me ekipet përgjegjëse të shtetit. Shtabi i Krizës në kuadër të komunës ka mbajtur mbledhje dhe komisionet kanë dalë për të vlerësuar dëmet që iu janë shkaktuar banorëve.”, u shpreh kryetari i komunës së Sarajit, Muhamed Elmazi.
 
Zëvendës kryeministri i parë, Bekim Sali, nëpërmjet një kumtese njoftoi se është formuar Shtabi i Krizës dhe po menaxhohet situata në terren:
 
“Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut që nga orët e mëngjesit është në koordinim të vazhdueshëm dhe ka aktivizuar të gjitha institucionet përkatëse. Po bëhet pastrimi i rrugëve dhe kanaleve, ndërsa disa familje janë evakuuar për arsye sigurie.”, shkruan zëvendës kryeministri i parë, Bekim Sali.
 
Edhe lagjet periferike të Shkupit nuk janë kursyer – në Idrrizov, Zelenikovo dhe Radishan janë raportuar oborre dhe bodrume të përmbytura, ndërsa njerëzit shihnin si u shkatërrohej pasuria. Ekipet e shpëtimit po punojnë intensivisht për të riparuar dëmet dhe për të stabilizuar situatën.
 
ERSAN PAJAZITI