Maqedoni
Tetovë vërshimet bëjnë dëme në Trebosh dhe Pallaticë
15.02.2026 16:16
Reshjet e fundit të shiut në Tetovë mbrëm kanë shkaktuar problemet e para...

Reshjet e fundit të shiut në Tetovë mbrëm kanë shkaktuar problemet e para, pasi shtrati i lumit të Porojit sërish ka vërshuar fushat dhe një pjesë të shtëpive në Trebosh e Pallaticë. Por i njejti ka vërshuar dhe prishur një pjesë të rrugës që është duke u punuar e që lidhe Tetovëbn me Jazhincën. Banorët ankohen se kjo ndodh nga mbyllja e kanaleve ku rrjedh uji gjatë ndërtimeve të rrugës.
“Këtu është faktori njeri problem, se çdo projekt që bëhet duhet shikuar kushtet natyrore, duhet shikojnë ku do shkoj uji. Që prej tre vitesh më rrinë ara në ujë. Në fillim duhet rregulluar shtrati i lumit pastaj projekti të bëhet. Këtu ka pasur një gyp kanali ka ecur, e mbyllën krejt ka dy vjet toka më rrinë kështu dhe s’mund ta mbjelli.”, u shpreh një banor.
“Ja çka është problemi, nuk e kanë rregullua një herë ujin ku do shkoj pastaj të bëhet rruga. Edhe tokat na vërshohen edhe rruga u prish edhe shtëpitë me ujë në Trebosh atje. Këtu rruga nuk e ka pasur vendin, por më tutje ku e ka pas vendin e tij uji por nuk janë marrë masa assesi.”, tha një banor.
“Nuk e dimë ku të ankohemi, kudo që ankohemi s`marrin masa askush, ja shiheni çka është bë çka tu them. Asnjëherë s’janë kompensua dëmet asnjëherë erdhën një herë ministra njerëz por asgjë s`kanë paguar.”, u shpreh një banor.
Për të par situatën kishte dalur edhe i pari i Tetovës Bilall Kasami. Kasami ka premtuar nxjerrje në terren të të gjitha ekipeve, me qëllim sanimin nga vërshimet.
“Ka pasur 24 orët e fundit denoncime për disa vende, ku ka pasur rrënime dheu dhe vërshime. Makineria e komunës dhe ndërmarrjet private kanë dalë në terren dhe janë duke pastruar pikat kritike. Me punimet që do realizohen dhe sigurisht me pjesën e pastrimit të kanaleve të lumenjve, në të ardhmen besoj që këto probleme më nuk do paraqiten.”, u shpreh kryetari i komunës së Tetovës Bilall Kasami.
Përndryshe, edhe pse shumë herë është deklaruar për investim nga një donacion i Ambasadës së Zvicrës për të rregulluar shtratin e Lumit Poroj, dhe pikat më kritike në Pollog, shumë pakë është intervenuar për të mënjanuar vërshimet eventuale.
VISAR SADIKI
