Botë
Protestë në Sarajevë pas tragjedisë me tramvaj që la një të vdekur
15.02.2026 17:01
Qytetarët në Sarajevë protestuan pas një aksidenti tragjik ku një person humbi jetën dhe katër të tjerë mbetën të plagosur...

Qytetarët në Sarajevë protestuan pas një aksidenti tragjik ku një person humbi jetën dhe katër të tjerë mbetën të plagosur, pasi një tramvaj doli nga binarët, u përplas me një automjet dhe më pas goditi një grup këmbësorësh. Njëri nga të plagosurit ndodhet ende në gjendje të rëndë shëndetësore. Demonstruesit kërkuan dorëheqjen e Qeverisë së Kantonit të Sarajevës, duke theksuar përgjegjësinë institucionale për sigurinë në transportin publik. Në tubim morën pjesë edhe prindër, të cilët kërkuan masa më të forta për garantimin e sigurisë së fëmijëve.
“E njihja djalin që humbi jetën. Ishte një mik shumë i mirë, një piktor i talentuar dhe jashtëzakonisht i zgjuar. Ishte vetëm 22 vjeç. Nuk kam fjalë, jam thellësisht i trishtuar.”, u shpreh një banor.
“Situata me transportin publik është alarmante. Pas këtij aksidenti nuk ndihem më i sigurt në tramvaj. Besoj se gjendja mund të përmirësohet vetëm nëse investohet më shumë në transportin publik. Më vjen shumë keq për atë që ndodhi.”, tha një tjetër qytetar.
Protesta kaloi në mënyrë paqësore, me vetëm një incident të vogël në zonën e Skenderijës.
ERSAN PAJAZITI
