Maqedoni
Këshilli i Prokurorëve Publikë nesër do të shpallë kandidatët për prokuror të ri shtetëror
16.02.2026 11:01
Këshilli i Prokurorëve Publikë nesër do ta mbajë seancën e 38-të...

Këshilli i Prokurorëve Publikë nesër do ta mbajë seancën e 38-të, në të cilën pika e vetme e rendit të ditës është dhënia e mendimit për Qeverinë lidhur me propozimin për emërimin e Prokurorit Publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Në përputhje me afatet ligjore, Këshilli është i obliguar që brenda 15 ditëve të japë mendim pozitiv ose negativ për kandidatët e paraqitur. Pas pranimit të mendimit, Qeveria mund t’i propozojë Kuvendit një nga kandidatët që ka marrë vlerësim pozitiv.
Qeveria më 3 shkurt i ka shqyrtuar pesë kandidaturat dhe, në pajtim me dispozitat ligjore, i ka dërguar ato në Këshillin e Prokurorëve Publikë, pasi më parë Kuvendi e kishte informuar për përfundimin e shpalljes dhe i kishte dorëzuar listën e kandidatëve të paraqitur.
Sipas informacioneve nga kandidatët e paraqitur, për funksionin konkurrojnë ushtruesja aktuale e detyrës prokurore shtetërore, Anita Topollova-Isajllovska, prokurorja Lençe Ristovska, gjyqtari nga Gjykata Penale Nenad Savevski, ish-kryetari i Gjykatës Penale Vladimir Pançevski dhe prokurorja nga Prokuroria e Shkupit, Lidija Raiçeviq.
Prokurori i ri shtetëror duhet ta pasojë Ljupço Kocevski, i cili në dhjetor paraqiti dorëheqje të parevokueshme. Pas largimit të tij, funksionin si ushtruese detyre e mori Topollova-Isajllovska, por kjo pozitë mund të ushtrohet më së shumti gjashtë muaj.
Procedura për zgjedhjen filloi me shpalljen e publikuar nga Kuvendi më 12 janar, me afat aplikimi prej 15 ditësh nga publikimi në “Gazetën Zyrtare”. Kandidatët duhet të kenë së paku 10 vite përvojë të pandërprerë si prokurorë publikë ose gjyqtarë në fushën e së drejtës penale.
Nëse Këshilli nuk jep mendim pozitiv për asnjë kandidat, Qeveria nuk do të mund të përcaktojë propozim dhe do të duhet të propozojë shpalljen e një konkursi të ri. Prokurori i ri shtetëror zgjidhet në Kuvend me të paktën 61 vota të deputetëve.
