Maqedoni
QMK për vërshimet: Situatë kritike në Pollog e Kërçovë
16.02.2026 11:12
QMK informon se për shkak të reshjeve të dendura të shiut, janë regjistruar përmbytje në disa rajone të vendit...

Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK) informon se për shkak të reshjeve të dendura të shiut, janë regjistruar përmbytje në disa rajone të vendit, ndërsa situata më kritike është në rajonin e Pollogut dhe në Kërçovë.
“Në rajonin Verilindor, në Komunën e Likovës, në një pjesë të fshatit Opajë, sipërfaqet bujqësore janë përmbytur për shkak të daljes nga shtrati të lumit të Sllupçanit, ndërsa deri më tani nuk janë raportuar dëme materiale. Sipërfaqe bujqësore të përmbytura ka edhe në fshatin Orizare. Në Kumanovë, në fshatin Dobroshanë, në vendin Shupli Kamen pranë urës mbi lumin Kumanovska, janë mbledhur shishe plastike, por për momentin nuk ka rrezik nga daljet e lumit. Në rajonin e Shkupit, në Komunën e Sarajit, situata po monitorohet këtë mëngjes dhe është e qetë, ndërsa në Komunën e Zelenikovës ka një dalje minimale të lumit Vardar pranë fshatrave Pakoshevë dhe Novo Sellë, pa rrezik të menjëhershëm. Në rajonin Juglindor, në Strumicë, për momentin nuk ka dëme të raportuara nga reshjet e shiut. Është raportuar rrëshqitje dheu pranë fshatit Suvi Laki drejt Berovës dhe janë njoftuar shërbimet përkatëse.”, thonë nga QMK.
