Rajon

Trump uron Kosovën për 18-vjetorin e pavarësisë

16.02.2026 11:33

Trump e ka uruar Kosovën për 18-vjetorin e Pavarësisë së saj...

Presidenti amerikan, Donald Trump e ka uruar Kosovën për 18-vjetorin e Pavarësisë së saj dhe e ka rikonfirmuar mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, ka bërë të ditur Presidenca e Kosovës.
 
Në letrën e nisur nga Trumpi, Kosova është përgëzuar për pjesëmarrjen në themelimin e Bordit të Paqes, si dhe për mbështetjen e këtij vendi në përpjekjet e SHBA-së për t’i zgjidhur problemet globale në Ukrainë, Gazë dhe vende tjera.
 
“Teksa marrëdhënia mes dy vendeve vazhdon të rritet, ne mirëpresim zgjerimin e partneritetit përmes bashkëpunimit tregtar dhe investimeve. Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të punojnë së bashku me Kosovën për të avancuar paqen dhe stabilitetin për të mirën e përbashkët.”, është thënë mes tjerash në letër.
 
SHBA-ja ka qenë ndër vendet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës, të shpallur më 17 shkurt 2008. Shtetësia e saj njihet nga 121 shtete, por sfidë mbetet ende mosnjohja nga katër shtete të NATO-s dhe pesë të Bashkimit Evropian, dy trupa në të cilët Kosova synon të anëtarësohet.