Maqedoni
Kërçovë, banorët vendorë kundërshtojnë hapjen e deponisë
16.02.2026 13:31
Banorët e fshatit Trapçindoll protestuan kundër grumbullimit të mbeturinave në afërsi të vendbanimeve të tyre....

Banorët e fshatit Trapçindoll të Kërçovës, të mbështetur edhe nga Bashkësitë tjera lokale, protestuan kundër grumbullimit të mbeturinave në lokacionin që ndodhet në afërsi të vendbanimeve të tyre. Hapja e kësaj deponie do të sjellë pasoja të mëdha për popullatën vendore, prandaj kjo iniciativë e Ndërmarrjes Publike Komunale dhe Komunës së Kërçovës nuk do të lejohet, por përkundrazi, ajo do të kundërshtohet në vazhdimësi, potencoi para masës së tubuar, përfaqësuesi i Bashkësisë Lokale në fshatin Trapçindoll, Armend Ramadani.
Ata kërkojnë nga kryetari i Komunës së Kërçovës një takim urgjent dhe dokument zyrtar si garanci se mbeturinat nuk do të grumbullohen në afërsi të këtyre vendbanimeve. Në të kundërtën, zëri ynë protestues për të drejtat elementare do të rritet edhe më tepër, sepse pasojat e kësaj iniciative mund të sjellin pasoja katastrofike për fëmijët dhe banorët që jetojnë në këto hapësira, u tha ndër të tjera në protestën e organizuar në afërsi të fshatit Trapçindoll.
SHABAN DALIPI
