Botë
Raundi i ri i bisedimeve Ukrainë – Rusi - ShBA, Kievi kërkon garanci sigurie
16.02.2026 13:47
Një raund i ri bisedimesh diplomatike do të zhvillohet mes Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Një raund i ri bisedimesh diplomatike do të zhvillohet mes Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si një përpjekje për të ulur tensionet dhe për të gjetur një rrugë drejt zgjidhjes së konfliktit. Presidenti ukrainas, Zelenski, ka theksuar se Kievi nuk do ta përsërisë gabimin e vitit 2014 dhe se siguria mbetet kyçe për përfundimin e luftës.
“Delegacioni ukrainas ka kornizën e nevojshme për këto diskutime. Dje u koordinuam me Steve Uitkof dhe Jared Kushner. Ukraina gjithmonë do të mbetet konstruktive, por qytetarët duhet të shohin përparim të vërtetë në siguri që të kenë besim në procesin diplomatik. Siguria është thelbësore për përfundimin e kësaj lufte. Garancitë e sigurisë për Ukrainën janë prioriteti kryesor.”, - deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Ndërkohë, Kremlini konfirmoi se delegacioni rus në Zvicër do të vijë në përbërje të zgjeruar.
“Delegacioni do të jetë i zgjeruar, kësaj here, përveç ndihmësit presidencial Medinski, do të jenë të pranishëm edhe zëvendësministri i Jashtëm, Galuzin, dhe funksionarë të tjerë.”, - theksoi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov.
Peskovi sqaroi se presidenti Vladimir Putin është në kontakt të vazhdueshëm me negociatorët dhe u jep udhëzime, si dhe se në takim do të hapen çështje kyçe, përfshirë ato territoriale.
Ndër temat e negociatave pritet të jetë edhe armëpushimi në sektorin energjetik.
“Raundi i ardhshëm i negociatave është përpara nesh. Do t’i shqyrtojmë mësimet nga historia jonë dhe do të kërkojmë përfundime të drejta. Interesat e Ukrainës duhet të mbrohen.”, - shkroi në postim shefi i Kabinetit të Presidentit të Ukrainës, Kiril Budanov.
Luftimet në front vazhdojnë me sulme të shtuara nga të dyja palët. Ukraina po merr mbështetje të shtuar nga aleatët përpara raundit të ri të negociatave të paqes, me paketa të reja ndihme ushtarake dhe energjetike, përfshirë raketa për mbrojtje ajrore. Moska njoftoi për sulmin më masiv ukrainas me dronë në rajonin e Bërjanskut, ndërsa Kievi raporton për dhjetëra të plagosur nga sulmet ruse në të gjithë vendin.
ARMEND MURSELI
