Rajon
Kurti takoi euroambasadorin Orav, kërkoi që Kosova të marrë statusin e vendit kandidat
16.02.2026 14:05
Kurti përsërit kërkesën që Kosova ta marrë statusin e vendit kandidat dhe pyetësorin nga Komisioni Evropian....

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përsërit kërkesën që Kosova ta marrë statusin e vendit kandidat dhe pyetësorin nga Komisioni Evropian. Këtë kërkesë Kurti ia bëri shefit të zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Aivo Orav, me ç’rast po ashtu ka theksuar se BE-ja është partner i besueshëm i Kosovës.
“Ne konsiderojmë që Bashkimi Evropian është organizata e paqes dhe sigurisë, ku ne dëshirojmë edhe të kontribuojmë, edhe të përfitojmë. Për këtë është e nevojshme që sa më parë të marrim statusin e vendit kandidat dhe pyetësorin nga Komisioni Evropian, që do të na ndihmojë ta përshpejtojmë agjendën e reformave, që padyshim do të jetë prioritet i Qeverisë sonë.”, - deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Orav: Me Kosovën të kalojmë në faqen tjetër të librit
Euroambasadori Aivo Orav uroi kryeministrin Kurti për rizgjedhjen e tij, si dhe theksoi rëndësinë edhe për BE-në që Kosova të ketë një qeveri stabile.
“Është dashur ca kohë, por besoj se tani është e mundur që të lëvizim para në drejtimin e duhur. Është me rëndësi që nga ana evropiane të kemi një partner, një qeveri të qëndrueshme. Jam gjithashtu i lumtur se marrëveshjet lidhur me Planin e Rritjes u miratuan kaq shpejt në Kuvend dhe tani procesi i zgjerimit të BE-së vazhdon. Shpresoj që me Kosovën të kalojmë faqen tjetër të librit dhe të vazhdojmë për një të ardhme të përbashkët.”, - theksoi ambasadori i BE-së në Prishtinë, Aivo Orav.
Sa i përket Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian për Kosovën, ai kap vlerën prej 882.6 milionë euro, 30 për qind e të cilave janë grante, ndërkaq mbi 70 për qind janë kredi.
GYLTENE SINANI
