Maqedoni

Përmbytje në vend, dëme materiale në Komunën e Sarajit, QMK: Gjendja është stabile

16.02.2026 14:29

Rreth 30 shtëpi janë përmbytur ditëve të fundit nga shiu i rrëmbyeshëm....

Rreth 30 shtëpi janë përmbytur ditëve të fundit nga shiu i rrëmbyeshëm. Ekipet nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, Qendra e Menaxhimit të Krizave dhe zjarrfikësit kanë ndërhyrë  në Komunën e Sarajit. Nga Komuna e Sarajit thonë se banorët e Sarajit të prekur nga vërshimet mund të dorëzojnë fletëparaqitje për vlerësimin e dëmeve në banesa, objekte ndihmëse dhe pasuri të tjera. Afati është nga 16 deri më 23 shkurt, ndërsa komisioni i komunës do të verifikojë dëmet dhe ndihmojë banorët me dokumentacionin e nevojshëm.
 
“Momentalisht po vlerësohen 30 shtëpi që u përmbytën, ka dëme materiale, ka edhe toka bujqësore që janë përmbytur nga vërshimet. Nga dita e sotme komisioni i vlerësimit do të dalë në terren në secilën shtëpi dhe do të bëjmë vlerësim. Sektori i planifikimit urban në kuadër të Komunës së Sarajit veç më është në terren që të mbikëqyrin situatën dhe është në kuadër të ligjit që të mos përsëritet më kjo situatë, sepse ka edhe nga kompani të ndërtimit që hedhin mbeturina në lum.”, - deklaroi kryetari i Komunës së Sarajit, Muhamet Elmazi. 
 
Qytetarët thonë se kanë pësuar dëme material nga shiu i rrëmbyeshëm.
 
“Uji ka arritur në 30 cm brenda në shtëpi, ndërsa jashtë edhe më shumë.”, - tha një qytetar.
 
“Duhet të pastrohet kanali prej fshatit Llaskarcë e këndej, sepse nëse nuk pastrohet përsëri do të ndodhë kjo.”, - tha një qytetar tjetër.
 
“Gjendja është edhe nga faktori njeri, po shihet. Duhet të pastrohet dhe të merren masa që të mos përsëriten përmbytjet.”, - u shpreh një qytetar.
 
“Momentalisht gjendja është stabile. Mbrëmë më kritike ishte në Saraj dhe Kërçovë. Mbrëmë isha në Saraj bashkë me kryetarin e Komunës së Sarajit. Aty janë përmbytur rreth 30 shtëpi. Kanë intervenuar edhe zjarrfikësit e qytetit të Shkupit, si dhe nga Komuna e Tetovës kishim ndihmë. Edhe në Kërçovë kishte përmbytje, ku 200 banorë janë strehuar në sallën e sportit.”, - theksoi Muhamed Ali nga QMK.
 
Banorëve të fshatit Bukoviq dhe Semenishtë u është premtuar që do të rregullohet shtrati i lumit, por ende nuk është realizuar premtimi që presin 20 vite.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI