Maqedoni

Rajoni i Pollogut, banorët përballen me përmbytjet

16.02.2026 14:45

Sasia e madhe e ujit ka mbingarkuar pusetat dhe kanalet lokale, duke krijuar përmbytje në disa rrugë dhe oborre shtëpish...

Reshjet intensive të shiut që goditën rajonin e Pollogut dhe pjesë të tjera të Maqedonisë së Veriut në ditët e fundit kanë shkaktuar vërshime dhe problematika të shumta, duke përfshirë edhe Komunën e Gostivarit dhe disa fshatra përreth, përfshirë zonën e fshatit Forinë, si më të rrezikuar.
 
Sasia e madhe e ujit ka mbingarkuar pusetat dhe kanalet lokale, duke krijuar përmbytje në disa rrugë dhe oborre shtëpish. Banorët raportojnë se disa bodrume janë përmbytur, ndërsa ekipe të ndërmarrjeve komunale janë angazhuar për pastrimin e ujërave dhe largimin e mbetjeve që bllokojnë rrjedhën e tyre.
 
Sipas njoftimeve të Qendrës për Menaxhim me Kriza (QMK), për shkak të reshjeve të dendura janë regjistruar përmbytje lokale në Gostivar dhe vendbanime përreth, ku ekipet e emergjencës janë duke punuar për përballimin e situatës.
 
Në fshatin Belovishtë janë raportuar përmbytje të shtëpive, ndërsa dëme materiale janë shënuar edhe në lagjet Ciglanë dhe Banjëçnicë. Probleme janë evidentuar edhe në fshatin Balindoll, ku bllokimi i kanalizimeve ka përkeqësuar gjendjen, si dhe në fshatin Forinë, ku disa shtëpi janë përfshirë nga uji. 
 
Meteorologët paralajmërojnë se reshjet do të vazhdojnë edhe gjatë ditës, ndaj autoritetet lokale këshillojnë kujdes të shtuar, sidomos në zonat e rrezikuara nga dalja e përrenjve dhe lumenjve të vegjël nga shtrati.
 
Kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, ka shprehur shqetësimin e tij në lidhje me situatën dhe ka kërkuar një reagim urgjent nga institucionet përgjegjëse.
 
Sipas tij, pavarësisht përpjekjeve maksimale të komunës dhe ndërmarrjeve komunale për të menaxhuar situatën në terren, nevojitet ndërhyrje e menjëhershme nga ELEM-i, si institucion me kompetenca për menaxhimin e ujërave të lumit Vardar, si dhe nga zyrat e Ekonomizimit të Ujërave, përgjegjëse për sistemin e ujitjes.
 
LULZIM AZIRI