Maqedoni
LSM sot bllokon hyrjen për në Qeveri, kërkohet minimalja të bëhet 600€
17.02.2026 08:59
Lidhja e Sindikatave me bllokimin e hyrjeve drejt Qeverisë....

Lidhja e Sindikatave me bllokimin e hyrjeve drejt Qeverisë, do të kërkojë rritjen e pagës minimale në 600 euro dhe rritjen e të gjitha pagave të tjera për 100 euro. Qeveria është institucioni i tretë që do të bllokohet nga sindikata, pasi javën e kaluar u bllokuan Kuvendi dhe Oda Ekonomike.
Me 21 persona, aq sa e lejon Ligji për tubime publike, do të bllokohen hyrjet e Qeverisë, e cila sot duhet të mbajë mbledhje të rregullt. Nga LSM presin mirëkuptim dhe theksojnë se Qeveria ka mundësi që në mbledhje të marrë vendim për rritjen e pagave të punëtorëve.
“Bllokada e fundit para Qeverisë është pikërisht për shkak se pagat e punëtorëve janë mbajtur të bllokuara për një periudhë të gjatë, gjatë së cilës vlera e shportës minimale sindikale është rritur për 9.250 denarë, pra një familje 4-anëtarëshe është më e varfër për 9.250 denarë. Ra edhe argumenti i fundit i përfaqësuesve të Qeverisë, të cilët së bashku me punëdhënësit e përsërisnin vazhdimisht se punëtorët maqedonas nuk janë produktivë. Punëtorët maqedonas janë tepër produktivë për pagat që marrin, ose vetëm 17 për qind e asaj që krijojnë si kapital për punëdhënësit derdhet në pagat e tyre. Si shembull, paga minimale mujore për një punëtor është 24.379 denarë, ndërsa produktiviteti që krijon ai për punëdhënësin është 290.000 denarë.”, deklaroi dje kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafillov.
Me këtë, LSM pas protestës së mbajtur më 28 janar po i realizon bllokadat e paralajmëruara të institucioneve. Nëse nuk hasin në mirëkuptim, paralajmërojnë organizimin e edhe të një proteste dhe grevë të përgjithshme, e cila sipas informacioneve do të zgjasë 24 orë.
