Maqedoni
Rritja e pagës minimale, LSM në grevë të përgjithshme në mars
17.02.2026 13:59
LSM ka vazhduar protestat në rrugë, duke bllokuar të gjitha qasjet rrugore drejt Qeverisë...

LSM ka vazhduar protestat në rrugë, duke bllokuar të gjitha qasjet rrugore drejt Qeverisë. Sindikalistët në krye me kryetarin e LSM-së, Sllobodan Trendafillov, kërkuan nga përfaqësuesit e Qeverisë rritjen e pagës minimale në 600 euro dhe rritje lineare të të gjitha pagave të tjera për së paku 100 euro.
“Dëshirojmë t’u dërgojmë mesazh, se në qoftë se deri në fund të këtij muaji nuk dakordohen dhe nuk ulemi bashkërisht për të diskutuar për rritjen e pagave konform kërkesave tona, do të organizojmë grevë të përgjithshme, të shoqëruar me protestë të përgjithshme, të cilën do ta organizojmë jashtë orarit të punës, gjatë fundjavës, ku do të ftohen të gjithë punëtorët të cilët vlerësojnë se pagat e tyre janë të ulëta. Për të gjithë punëtorët do të organizojmë transport, në mënyrë që të mos ketë asnjë arsye për mosardhjen e tyre.”, - deklaroi kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafillov.
Qytetarët të cilët kishin dalë për të protestuar vlerësojnë se rritja e pagave në vend është më se e domosdoshme dhe e nevojshme, në mënyrë që të mund ta kalojnë muajin më denjësisht.
“Mezi po e kalojmë muajin, mirëpo për fat të keq jemi mësuar të jetojmë kështu, duke kursyer dhe duke i shkurtuar prioritetet thelbësore për jetesë. Kjo po shihet edhe nga vetë fakti se tashmë nuk kemi klasë të mesme në shoqëri, por kemi kategori qytetarësh ose shumë të pasur, ose shumë të varfër.”, - tha një qytetare.
“Paga minimale duhet të jetë së paku 600 euro, sepse më nuk mund të durohet me këto të ardhura mujore. Çdo gjë është rritur dhe kemi shpenzime të mëdha.”, - tha një qytetare tjetër.
“Mendoj se paga minimale duhet të jetë 600 euro dhe të gjithë në këtë vend jemi të vetëdijshëm se është rritur kostoja e jetesës, ku vetëm për dy vite shporta e konsumatorit është rritur për mbi 9 mijë denarë, andaj vlerësojmë se kjo rritje është diçka që u takon të gjithë qytetarëve.”, - u shpreh një qytetar.
Protestat e LSM-së, të organizuara për rritjen e pagave në vend, tashmë kanë hyrë në fazën e dytë, të paralajmëruar më herët nga kreu i LSM-së. Protesta e sotme para Qeverisë është institucioni i tretë që ata e bllokojnë, pasi më herët protestuan para Kuvendit dhe Odës Ekonomike. Në këto protesta ata dalin me nga 21 persona, ashtu siç e kërkon Ligji për tubime publike. Nëse ekzekutivi nuk e plotëson kërkesën e tyre, ata dalin në rrugë edhe më masivisht 24 orë. Kërkesën për rritjen e pagave, LSM-ja e bazon në rritjen e kostos së jetesës dhe në rritjen e vlerës së shportës sindikale të konsumit.
REXHEP QAMILI
