Rajon

Kosova shënon 18-vjetorin e pavarësisë

17.02.2026 14:14

18-vjetori i pavarësisë e gjen Kosovën me sfidën e gjyqit në Hagë për 4 ish- krerët e UÇK-së që luftuan për ta parë vendin të lirë....

18-vjetori i pavarësisë e gjen Kosovën me sfidën e gjyqit në Hagë për 4 ish- krerët e UÇK-së që luftuan për ta parë vendin të lirë. Ndaj, monumenti ikonik “New Born” që u ngrit ditën kur Kosova shpalli pavarësinë, këtë vit, mori një pamje krejt tjetër dhe u vesh me 500 emblema të UÇK-së. Festimet në Prishtinë nisën me ngritjen e Flamurit të Kosovës në oborrin e Qeverisë.  
 
Aktakuza e rëndë e Hagës ndaj luftës së Kosovës ishte kryefjalë e mesazheve në seancën solemne në Kuvend.
 
“UÇK-ja është ideali më i madh që ka nderuar shqiptarët ndër shekuj. Lufta ishte gjithnjë e drejtë, e pastër, e domosdoshme. Çdo përpjekje për ta njollosur apo relativizuar viktimën me agresorin është e padrejtë dhe historikisht e pavërtetë. Ta ruajmë Kosovën si amanetin tonë.”, - deklaroi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
 
“Ne nuk mund të lëshojmë pe, sepse nuk bëjmë kompromis me lirinë dhe zhvillimin. Krime kundër njerëzimit ndaj shqiptarëve ka kryer Serbia e Millosheviqi, kërcënim për përsëritjen e tyre është Serbia e Vuçiqi, barazimi i krerëve të UÇK-së me një regjim gjenocidal është i papranueshëm. Sot Serbia merr eurot nga BE-ja dhe orientimin nga Kremlini.”, - theksoi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
 
Në seancën solemne i pranishëm ishte edhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili tha se akuzat mbi liderët e UÇK-së janë të montuara, ndërsa udhëheqjes së Kosovës i kërkoi të përballojnë me mençuri sfidat e dialogut dhe integrimit.
 
“Historia e Kosovës nuk mund të shkruhet pa emrat e Thaçit, Veselit, Krasniqit, Selimit dhe bashkëluftëtarëve të tyre. Ata që udhëhoqën popullin drejt lirisë, po përballen me akuza të montuara duke na bërë të gjithëve të ndihemi të fyer, të paragjykuar dhe të akuzuar. Ne jemi një komb, Shqipëria është shtëpia juaj, Kosova është shpirti ynë.”, - u shpreh presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj. 
 
Homazhe u mbajtën edhe në Memorialin e familjes Jashari në Prekaz dhe në varrin e ish-presidentit Ibrahim Rugova.
 
Një moment i veçantë i kremtimeve ishte edhe parada ushtarake. Që prej vitit 2008, shtetësia e Kosovës njihet nga 121 vende të botës, por sfidë ende përbën mungesa e njohjeve nga disa vende të NATO-s dhe të bllokut evropian.
 
LULJETA NDOKA