Maqedoni
Vërshimet në Komunën e Sarajit, Banorët: Kemi dëme materiale dhe bujqësore
17.02.2026 15:37
Shiu i rrëmbyeshëm ditëve të fundit dhe lumi i dalë nga shtrati ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale dhe bujqësore.

Në fshatin Seminishtë të Komunës së Sarajit, shiu i rrëmbyeshëm ditëve të fundit dhe lumi i dalë nga shtrati ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale dhe bujqësore. Banorët presin nga Komuna e Sarajit që t’ua kompensojë dëmet e shkaktuara, aq sa e kanë vlerën.
“Po, kemi dëme, të gjitha janë të lajmëruara. Ka qenë kryetari i ka kontrolluar të gjitha. Ne vet e bëjmë lumin që e zëmë dhe këtu nuk ka faj kryetari, Zoti e ka dërguar këtë, s’ka faj askush. Po, kemi kërkuar. Premtime kemi pasur përpara, premtimi shihet vet.”, - tha një banor i fshatit Seminishtë.
“Dëme kemi shumë, nëpër fushë, nëpër shtëpi, komuna ka marrë masa, do ta pastrojë lumin e thatë, kanë filluar në Bukoviq, janë duke punuar e do të vijnë edhe këndej, po kur do të fillojë puna nuk e di. Në vitin 2021 njësoj ka qenë gjendja, këtu e kam unë tokën. M’i ka lëshuar komuna 2.400 denarë për dëmshpërblimin. Mos të ndodhë edhe ky rast që i gënjejnë qytetarët, por ta vlerësojnë dëmin sikur e ka rendin e vet.”, - tha një banor tjetër.
“Shiu na ka shkaktuar dëme, siç e shihni vet. Gjysmë metër ujë ka pasur. Ka dalë lumi nga shtrati, kemi dëme në frigorifer, shporet, hidroforë, të gjitha janë dëmtuar. Mbeturinat ende i kam pas shtëpisë. Komuna është munduar me atë të veten aq kanë mundur, po ishin për vlerësim të komunës.”, - u shpreh një banor tjetër.
Sipas udhëheqësve të komunave dhe Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, përmbytjet janë si pasojë e mospastrimit në kohë të shtretërve të lumenjve dhe hedhjes së pakontrolluar të mbeturinave nëpër lumenj.
VLORA LATIFI TOPOJANI
