Rajon

Protestë në Prishtinë, “Drejtësi, jo politikë” për krerët e UÇK-së

17.02.2026 15:51

Me moton “Drejtësi, jo politikë” mijëra qytetarë protestuan në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë

Në ditën kur Kosova po shënon 18-vjetorin e shtetësisë së saj, krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqipo mbahen në Hagë. Prandaj me moton “Drejtësi, jo politikë” mijëra qytetarë protestuan në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, me ç’rast nga organizatorët e protestës Platforma “Liria ka Emër”, theksuan se lufta e UÇK-së ishe luftë çlirimtare, forcat serbe ishin ato që përdorën dhunë dhe bën masakra ndaj shqiptarëve të Kosovës, prandaj nuk mund të barazohet agresori me viktimën.
 
“UÇK-ja nuk lindi për të marrë tokë të huaj, por për të mbrojtur shtëpinë e vet. Nuk lindi për dominim, por për liri. Thirrjet tona për drejtësi e jo politikë nuk janë kundër askujt. Janë për dinjitetin tonë kolektiv. Ne nuk mund të pranojmë që proceset që zhvillohen në emër të popullit të Kosovës të përdoren për të barazuar agresorin me viktimën apo për të mjegulluar karakterin çlirimtar të luftës sonë. Nëse drejtësia devijon nga parimet e barazisë dhe paanshmërisë, dhe kur gjyqi në Hagë thirret dhe vepron në emër të popullit të Kosovës, atëherë ne këtu i themi qartë: jo në emrin tim, jo në emrin tonë.”, - deklaroi Ismail Tasholli nga Platforma “Liria ka emër”.
 
E mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Vasfije Krasniqi, tha se populli e do lirinë e çlirimtarëve, pasi liria që po e festojmë sot, erdhi me gjak e sakrifica të shumta. 
 
“Ne flasim për drejtësi, për krimet që i kreu Serbia në Kosovë. Ne jemi për t’i liruar ata nga Haga. Ajo që e bashkon popullin tonë është cenimi i lirisë dhe padrejtësia. Faleminderit të gjithëve ju që i shërbyet atdheut kur kishte nevojë. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi duhet të lirohen. Ata e mbrojtën popullin vet si e gjithë Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Faleminderit të gjithëve, gëzuar pavarësia.”, - theksoi e mbijetuara e dhunës seksuale, Vasfije Krasniqi.                              
Në protestë ishte e pranishme edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e shoqëruar nga kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste të Shqipërisë, Taulant Balla dhe kreu i BDI-së, Ali Ahmeti. 
 
GYLTENE SINANI