Zgjidhja e krizës, BDI përkrah kompromisin e arritur

04.06.2015 12:11

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, në takimin që realizoi me ambasadorin e Sllovenisë, Branko Rakovec, theksoi rëndësinë e arritjes së marrëveshjes politike midis liderëve të katër partive më të mëdha në vend me ndërmjetësim të komisionerit Hahn dhe ambasadorëve të SHBA-ve dhe BE-së në Shkup...

Në takim është diskutuar rreth përpjekjeve për ta zgjidhur krizën politike në vend, situatën e sigurisë, çështjen e emrit dhe integrimin euroatlantik. Është shumë e rëndësishme që të gjitha palët u pajtuan rreth një kornize për ta nisur zgjidhjen e krizës politike dhe kjo marrëveshje është fillimi i tejkalimit të situatës së vështirë në vend.

Ahmeti shprehu bindjen që të gjitha palët do të jenë konstruktive dhe do të bëjnë përpjekje për ta realizuar marrëveshjen e kompromisit, të cilën e mbështetën të gjithë së bashku. Kreu i integristëve theksoi që marrëveshja e arritur mundëson adresimin e shqetësimeve, por edhe rikthimin në agjendën prioritare të vendit tonë, atë të integrimit në NATO dhe BE nëpërmjet të arritjes së zgjidhjeve të çështjeve me fqinjët tanë, si dhe zhvillimit të marrëdhënieve të shëndosha ndëretnike.

Në lidhje me situatën e sigurisë pas incidentit në Kumanovë, kryetari Ahmeti theksoi nevojën për bashkëpunim të afërt rajonal dhe në veçanti midis drejtorive të sigurisë midis Kosovës dhe Maqedonisë, në mënyrë që të hetohet drejt ky rast dhe e vërteta të dalë në shesh.