Botë
Raundi i tretë i bisedimeve trepalëshe për Ukrainën vazhdon në ditën e dytë në Gjenevë
18.02.2026 12:28
Raundi i tretë i bisedimeve trepalëshe për paqe midis Ukrainës dhe Rusisë, të ndërmjetësuara nga ShBA-ja...

Raundi i tretë i bisedimeve trepalëshe për paqe midis Ukrainës dhe Rusisë, të ndërmjetësuara nga ShBA-ja, ka vazhduar sot në Gjenevë pas një seance fillestare që zgjati më shumë se katër orë.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, para takimeve tha se bisedimet do të trajtojnë një "gamë më të gjerë çështjesh", përfshirë "çështjet kryesore që kanë të bëjnë me territoret", të cilat ai i përshkroi si temë qendrore për kërkesat e Moskës.
Delegacioni ukrainas kryesohet nga Rustem Umerov, sekretar i Këshillit të Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare, i cili më herët ka theksuar se kanë "një kornizë pune të dakorduar nga presidenti ukrainas dhe një mandat të qartë". Ai tha se në agjendë janë çështjet e sigurisë dhe ato humanitare.
Nga pala amerikane, Uitkof në platformën sociale amerikane X tha se bisedimet midis Ukrainës dhe Rusisë "kanë sjellë përparim domethënës" për t'i dhënë fund luftës.
"Suksesi i presidentit Tramp në bashkimin e të dyja palëve të kësaj lufte ka sjellë përparim domethënës dhe ne jemi krenarë që punojmë nën udhëheqjen e tij për të ndaluar vrasjet në këtë konflikt të tmerrshëm", shkroi ai.
Bisedimet po zhvillohen pas dyerve të mbyllura dhe nuk pritet ndonjë prononcim i menjëhershëm.
