Maqedoni
Qeveria, masa ndaj ekonomisë gri dhe kontroll të çmimeve
18.02.2026 14:04
Formalizimi i ekonomisë joformale mbetet në fokus të politikave të kësaj qeverie...

Formalizimi i ekonomisë joformale mbetet në fokus të politikave të kësaj qeverie. Këtë e theksuan përfaqësuesit qeveritarë në konferencën e organizuar për formalizimin e ekonomisë joformale. Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska Koçoska, tha se plani i rishikuar i aksioneve për 2026 - 2027 do të vendosë një objektiv të qartë dhe të matshëm për uljen e ekonomisë joformale nga 28.9% në 26% të PBB-së deri në fund të vitit 2027.
“Në zbatimin e saj është veçanërisht e rëndësishme pjesëmarrja aktive e të gjitha institucioneve relevante në implementimin e strategjisë dhe masave që ajo përmban. Një mesazh i qartë për bashkëpunim dhe përfshirje aktive në zbatim dërgojmë edhe me nënshkrimin e sotëm të Deklaratës për Partneritet dhe Veprim, me të cilën shprehim përkushtimin tonë të përbashkët për formalizimin e ekonomisë joformale. Kjo paraqet një hap të rëndësishëm drejt trajtimit sistematik dhe të koordinuar të ekonomisë joformale, duke treguar përkushtimin e përbashkët të institucioneve, komunitetit të biznesit, organizatave sindikale dhe komunitetit akademik.”, - deklaroi ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska Koçoska.
Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Durmishi, tha se përmes programeve të ndryshme të punësimit po punohet për të ulur numrin e personave që punojnë në të zezë. Ai theksoi se kjo qeveri nuk ka bërë dhe as nuk do të bëjë asnjë kompromis për këtë çështje në të ardhmen.
“Prandaj, lufta kundër ekonomisë joformale kërkon zgjidhje sistemore, konsistente dhe të qëndrueshme. Çdo kompromis me ekonominë gri do të thotë rritje më e ulët ekonomike, më pak shërbime publike dhe cilësi më të ulët të jetesës. MEP deri më tani ka zbatuar politika aktive përmes Planit Operativ për Punësim, por analizat kanë treguar se disa persona vazhdojnë të mbeten jashtë rrjedhave formale. Kjo është arsyeja pse këtë vit janë ndarë 4 milion euro për Planin e ri Operativ për Punësim, me masa që do të kontribuojnë drejtpërdrejt në formalizimin e ekonomisë dhe krijimin e vendeve të reja të punës.”, - theksoi ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi.
Kryeministri Hristijan Mickoski tha se lufta kundër ekonomisë joformale është çështje e drejtësisë, një proces që duhet të jetë sistematik, e jo vetëm inspektues. Po ashtu kontrolli i çmimeve nuk është popullizëm, por një mënyrë për të mbrojtur qytetarët, theksoi Mickoski.
“Do të vazhdojmë me monitorim të fuqishëm të çmimeve të produkteve bazë ushqimore, me analizën e marzhës tregtare, si dhe me koordinimin e institucioneve përkatëse për parandalimin e keqpërdorimeve eventuale. Do të vazhdojmë gjithashtu dialogun me tregtarët dhe prodhuesit për stabilizimin e tregut. Politika jonë është e qartë: të ardhura publike stabile dhe standard jetësor i mbrojtur. Nuk kemi të drejtë të lejojmë që pandershmëria të jetë më fitimprurëse se ndershmëria, dhe nuk kemi të drejtë që qytetarët të paguajnë më shumë për shkak të praktikave spekulative të dikujt.”, - u shpreh kryeministri, Hristijan Mickoski.
Në këtë konferencë, përveç përfaqësuesve të ekzekutivit, morën pjesë njohësit e mirë të ekonomisë nga vendi dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, ku në mënyrë të qartë u dërgua mesazhi se herët ose vonë çdo vepër kriminale ndaj ekonomisë do të ndëshkohet, andaj duhet legalizuar dhe formalizuar çdo veprim ekonomik.
REXHEP QAMILI
