Maqedoni
QMK: Era rrëzoi drunj dhe çati në Shkup dhe Gjevgjeli
18.02.2026 15:06
Prej mbrëmë vendi është kapluar nga një mot me temperatura të ulëta dhe erë të fuqishme....

Prej mbrëmë vendi është kapluar nga një mot me temperatura të ulëta dhe erë të fuqishme. Qendra për Menaxhimin e Krizave njofton se erërat e fuqishme kanë rrëzuar drunj dhe çati në Shkup dhe Gjevgjeli. Ekipet e NP “Parqe dhe Gjelbërim” janë në terren dhe po marrin masa nga pasojat që u shkaktuan nga erërat e fuqishme, bëjnë të ditur nga QMK.
“Gjatë ditës së sotme, për shkak të erërave të fuqishme, në territorin e qytetit të Shkupit janë evidentuar disa raste të rrëzimit të pemëve dhe degëve. Në disa lokacione është shkaktuar dëm material në automjete të parkuara, ndërsa në disa rrugë qarkullimi është vështirësuar. Ndërhyrje po realizohen në komunat Qendër, Kisella Vodë, Aerodrom dhe Çair, ku në disa rrugë po bëhet pastrimi i pemëve të rrëzuara, përfshirë bulevardet “ASNOM” dhe “Jane Sandanski”. Në disa raste pemët kanë rënë mbi automjete, ndërsa është evidentuar edhe një rast ku një pemë ka prekur tela elektrikë. Ekipet e NP “Parqe dhe Gjelbërim” janë në teren dhe po punojnë për largimin e pasojave dhe normalizimin e gjendjes.”, thonë nga QMK.
Niveli i lumit Vardar ka rënë në krahasim me tre ditët e mëparshme dhe aktualisht nuk ka rrezik përmbytjeje, theksojnë nga QMK. Lidhur me përmbytjet e ditëve të kaluara në fshatrat Çajlane, Bukoviq dhe Semenishtë, situata po normalizohet gradualisht. Pritet stabilizim i mëtejshëm i situatës në territorin e Kërçovës. Nuk ka njoftime për rrëshqitje të dheut në rrugët kryesore dhe trafiku po zhvillohet rregullisht. Numri i personave të evakuuar në Kërçovë mbetet i pandryshuar, 250 persona (63 familje), të cilët furnizohen rregullisht me ushqim, ujë dhe furnizime të nevojshme. Një ekip nga Qendra Mjekësore kryen kontrolle shëndetësore dhe u jep këshilla të përshtatshme personave të evakuuar, theksojnë nga QMK.
Trafiku në rrugë të lagështa, Meteorologët: Moti do të vazhdojë të jetë i ftohtë dhe me reshje
Ndërkohë nga Lidhja Auto Moto, informojnë se trafiku në rrugët shtetërore po zhvillohet në rrugë të lagura. Ka reshje të lehta bore në Kriva Pallankë, në vendkalimet kufitare Deve Bair, Dellçevë, Straçin dhe Ponikva, por për momentin nuk paraqet pengesë për trafikun.
Nga Drejtoria Hidrometeorologjike paralajmërojnë se moti i ftohtë do të vazhdojë edhe në ditët në vijim. Të enjten në mëngjes moti do të jetë i kthjellët dhe i ftohtë, me temperaturë disa gradë nën zero. Gjatë ditës së premte do të ketë reshje të reja të shiut në pjesët më të ulëta, ndërsa në zonat malore do të ketë reshje të borës. Gjatë fundjavës, moti do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe më i ftohtë me erëra mesatare veriore. Nga e hëna, temperaturat ditore do të rriten.
VLORA LATIFI TOPOJANI
