Maqedoni
Pozita e kryeprokurorit, Pançevski do të padisë për diskualifikimin nga KPP-ja
18.02.2026 15:15
Paçevski ka paralajmëruar padi penale ndaj 10 anëtarëve të Këshillit të Prokurorëve për vendimin e miratuar.....

Ish-gjykatësi Vlladimir Paçevski, i cili gjatë ditës së djeshme u diskualifikua nga gara për kryeprokuror të ri të shtetit, ka paralajmëruar padi penale ndaj 10 anëtarëve të Këshillit të Prokurorëve për vendimin e miratuar. Ai në profilin e tij në Facebook njoftoi se padinë do ta dorëzojë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Prokurorinë Publike, me akuzën për keqpërdorim të detyrës dhe autorizimeve zyrtare. Ai mohon pretendimet e Këshillit të Prokurorëve se ai si kandidat nuk e ka plotësuar kushtin për më së paku 10 vite stazh të pandërprerë në sferën e së drejtës penale.
“I bëj thirrje Qeverisë dhe organeve të ndjekjes që të marrin guximin dhe menjëherë të veprojnë sipas këtij kallëzimi për keqpërdorim të drejtpërdrejtë nga ana e të denoncuarve. Publiku ta ndjekë rastin! Nga të gjithë ne varet! Ndërkohë, për të njëjtën vepër penale unë u akuzova dhe u dënova nga ky i njëjti sistem gjyqësor-prokurorial i korruptuar me dy vjet e gjysmë burg efektiv, por në atë procedurë nuk kishte persona të cilëve u ishin shkelur të drejtat; më dënuan për një shkelje abstrakte. Të shohim nëse ligji arrin te këta për një shkelje kaq konkrete dhe më të rëndë të të drejtave, në kundërshtim me ligjin.”, ka shkruar Pançevski në Facebook.
Mickoski: Do t'i shqyrtojmë vlerësimet për kryeprokurorë
Ndërkohë, kryeministri Hristijan Mickoski pret që edhe zyrtarisht t’i pranojnë vlerësimet për të propozuar kandidatin për votim në Kuvend.
“I presim të vijnë vlerësimet nga ana e Këshillit të Prokurorëve Publikë. Pasi që të arrijnë zyrtarisht, ne si Qeveri do të shprehemi rreth vendimit dhe do ta japim propozimin tonë në Kuvend.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Në garë për kryeprokuror janë katër kandidatë Lidija Raiçeviq, Lençe Ristovska, Nenad Savevski dhe ushtruesja e detyrës së prokurores shtetërore, Anita Topolova Isajllovska. Për zgjedhjen e prokurorit të ri shtetëror nevojiten të paktën 61 vota nga deputetët.
FLORIJE KAMBERI
