Maqedoni

Pyetje deputetësh, minimalja kryetemë, Trençevska: Rritni pagat, inflacioni ngulfat

18.02.2026 15:43

Rritja e pagës minimale është ndër temat më të zëshme në seancën e pyetjeve të deputeteve....

Rritja e pagës minimale është ndër temat më të zëshme në seancën e pyetjeve të deputeteve. Opozita këmbëngul që minimalja të ngjitet në 600 euro. Jovana Trençevska nga LSDM tha se metodologjia për minimalen u dakordua gjatë qeverisë paraprake, por sugjeroi qeverinë që t’i përgjigjet inflacionit me instrumente gjegjëse. Amar Mecinoviq nga E Majta nuk beson në mundësinë që minimalja të dakordohet me punëdhënësit dhe punëtorit. Kritikon qeverinë për argumente boshe për këtë temë aktuale.
 
“A mundet një familje të jetojë me pagë minimale prej 24 mijë denarësh? Ushqimi është shtrenjtuar, mishi dhe produktet e saja janë rritur për 9.5% qumështi, vezët për 7%. Pemët për 17.5%, perimet 8.5%. Paga prej 24 mijë denarësh, i nderuar ministër, nuk mjafton as për produktet elementare.”, - deklaroi deputetja e LSDM-së, Jovana Trençevska.
 
“Ju vazhdimisht thoni se s’do të ketë rritje të pagës, se është jashtë rritjes së paraparë ligjore dhe nëse do të ketë marrëveshje do të ketë mes punëdhënësit dhe nëpunësit. Nuk mund të kontraktohet dorëzuesi dhe viktima.”, -  theksoi Amar Mecinoviq nga E Majta.
 
Durmishi: S’ka ekonomi për kërkesat e sindikatave
 
Sipas ministrit të Ekonomisë, Durmishi, resori nuk i ikë bisedave për rritjen e minimales, por se ajo duhet të jetë në bazë të parametrave ekonomike, në harmoni me rritjen e produktivitet dhe fuqisë punëtore.
 
“Sindikatat po kërkojnë të rritet paga minimale prej 600 eurove. Ne asnjëherë nuk iu kemi shmangur bisedës, këtë e kemi treguar edhe në marrëveshjen  të cilën e kemi arritur dy javë më parë përmes 11 mijë të punësuarve në sektorin shtetëror për rritjen e pagave deri në 40% për tre vitet e ardhshme. Përveç kësaj, të dhënat e entit statistikor janë të qarta. Në muajin janar kemi ulje të inflacionit për 0.7%.”, - u shpreh ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi.
 
Tatimet retroaktive, Ajdari: Iu mohohet statusi jorezident tatimor
 
Rina Ajdari nga BDI shprehu shqetësim për shkurtimin e mjeteve për kulturë për shqiptarët, ku, sipas saj, këtë vit për projektet shqiptare janë ndarë 13% nga buxheti kulturor, ndërsa për maqedonasit 86%. Në mungesë të ministrit Lutkov, Ajdari mbeti të marrë përgjigje me shkrim. Ndërkohë hapi edhe temën për tatimet retroaktive për përfitimet jashtë vendit. Ajo konstaton se po u bëhet padrejtësi këtyre punonjësve që kryesisht janë nga pjesa perëndimore e vendit. Përgjigjen e mori nga zëvendëskryeministri, Bekim Sali.
 
“Ata nuk janë kundër tatimeve, por kërkojnë që t’u njihet statusi i jorezidentëve tatimorë sipas Ligjit të tatimit personal, pasi kanë qëndruar jashtë vendit mbi 183 ditë dhe ky status iu mohohet nga autoritetet.”, - deklaroi deputetja e BDI-së, Rina Ajdari.
 
Sali: Lidhet me DAP-in, përgjigjemi më vonë
 
“Për sa i përket çështjes së tatimit të cilën duhet ta paguajnë punonjësit që kanë vepruar jashtë vendit, për shkak se ka të bëjë me tatim dhe është e lidhur me Drejtorinë e të Ardhurave Publike, këtë përgjigje do t’ua japim me shkrim.”, - theksoi zëvendëskryeministri, Bekim Sali. 
 
Ndërkohë Bisera Kostadinovska pyeti Ministrinë e Shëndetësisë lidhur me shkurtimin e mjeteve për personat me sëmundje të rralla, gjersa numri i tyre rritet vazhdimisht. Ministri Aliu me përgjigje se trendet po ndiqen nga dikasteri, por  kanë zgjedhur të ndryshojnë metodologjinë, jo për një vit, siç ka qenë deri më tani, por do të zëvendësohet me prokurim trevjeçar, në mënyrë që këta pacientë mos të ngelin pa kurim për periudhë të caktuar, siç ka ndodhur në të kaluarën, tha Aliu. Në seancën e pyetjeve të deputeteve me interes ishte edhe Ligji për Arsim të Lartë, transportuesit dhe çështje tjera aktuale.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU