Maqedoni
Limani paralajmëron zgjedhje parlamentare, Qamili: Lumani ka kohë që është vetëpërjashtuar
18.02.2026 15:53
Limani ka shfaqur mospajtim me vendimin e Kuvendit Qendror të kësaj partie...

Ministri i Politikës Sociale, Fatmir Limani, njëherësh edhe zyrtar i lartë i Lëvizjes Besa, ka shfaqur mospajtim me vendimin e Kuvendit Qendror të kësaj partie, për shkrirjen e saj në Koalicionin VLEN dhe deklaratave për vendosjen e një “moratoriumi” mbi aktivitetet politike. Ai sqaroi se moratoriumi nënkupton pezullim të përkohshëm të aktiviteteve, por ngriti pyetjen nëse kjo masë do të vlejë edhe gjatë fushatës zgjedhore që pritet së shpejti, duke lënë të kuptohet mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
“Vetëm përmes një qasjeje gjithëpërfshirëse mund të ruhet uniteti, besimi dhe funksionaliteti organizativ. Në këtë kontekst, lind natyrshëm edhe një pyetje: A do të vlejë masa e moratoriumit edhe në kohën e fushatës zgjedhore që pritet të pasojë së shpejti?! Organizimi politik nuk ndërtohet mbi pezullime të imponuara, por mbi bashkëpunim, përgjegjësi dhe vendimmarrje kolektive. Nuk ka forcë që ndalon veprimtarinë, e cila filloi me mision të qartë. Në betejat e zhvilluara me "bërryla", humbin hileqarët. Dhe veprimi mbi: "u ndal shiu.., të shpie në mes të kërkundit”, ka shkruar Fatmir Lumani nga Lëvizja Besa.
Zëdhënësi i Lëvizjes Besa, Albi Qamili, për TVM2 deklaroi se Lumani prej kohësh është i vetëpërjashtuar nga partia dhe se nuk merren me reagimet e tij. Sipas Qamilit, partia është e pakënaqur me punën e Lumanit në Qeveri dhe në rikonstruimin e parë ai do të shkarkohet nga posti i ministrit.
“Individët që ngrenë zërin apo shprehin pakënaqësi nga ky bashkim janë individë që ka kohë që janë vetëpërjashtuar nga Lëvizja Besa dhe nuk kemi aspak komunikim, kuptohet ne nuk kemi pritur më mirë nga ata individë, por sidoqoftë ne nuk do të merremi me reagime të izoluara dhe pakënaqësitë e këtyre individëve. Do të vazhdojmë me gjithë kapacitetin që kemi të përkushtohemi në misionin drejt shndërrimit të VLEN-it në një parti politike. Vet Bilall Kasami ka thënë se nuk është i kënaqur nga performanca e disa funksionarëve dhe në mbledhjen e fundit ne thamë që do të bëjmë një lloj skanimi të të gjithë funksionarëve pas të cilës do të pasojë edhe rikonstruimi i Qeverisë.”, - theksoi zëdhënësi i Lëvizjes Besa, Albi Qamili.
Ndërkohë, disa nga strukturat e Lëvizjes Besa, përfshi ato rinore, kanë reaguar ashpër ndaj kryesisë qendrore, duke e akuzuar për centralizim dhe trajtim të partisë si “pronë private”. Dashmir Ollomani, kryetar i degës në Austri, shprehu shqetësim për, sipas tij, përjashtimin e mërgatës nga proceset partiake. Ndërsa Edmond Hoda, kryetar i Forumit Rinor-Dega Strugë, deklaroi se rinia nuk do të lejojë manipulime apo imponime politike nga udhëheqja aktuale.
“Adnan Azizi, nëse vërtet e do të mirën e qytetarëve dhe të strukturës politike, atëherë distancohu menjëherë nga veprimet që e dëmtojnë rëndë zhvillimin e strukturës në nivel të përgjithshëm. Ndërhyrjet e tua nuk kanë sjellë asgjë tjetër përveç përçarjes dhe dobësimit të rinisë dhe strukturave në terren.”, ka shkruar Edmond Hoda në profilin e tij në Facebook.
Edhe Ramazan Dini, kryetar i Forumit Rinor (Kërçovë, Dollnen, Manastir), paralajmëroi se vendimet e gabuara do të kenë pasoja politike, duke theksuar se forca e partisë qëndron te uniteti dhe respektimi i bazës. Ndërkohë, kryetarja e degës, Afrodita Bataloska, ka bërë të ditur se strukturat e Lëvizjes Besa në Manastir braktisin kryetarin Bilall Kasami dhe janë rreshtuar pas Fatmir Limanit.
ARMEND MURSELI
