Rajon
Tërnava dhe Spahiu, mesazhe urimi për muajin e Ramazanit
18.02.2026 16:06
Mesazhe urimi për fillimin e muajit të shenjtë të Ramazanit kanë përcjellë Tërnava dhe Spahiu...

Mesazhe urimi për fillimin e muajit të shenjtë të Ramazanit kanë përcjellë kreu i Bashkësisë Islame në Kosovë, Naim Tërnava, dhe kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu.
“Mesazhi i Ramazanit është paqja, pastron zemrën nga urrejtja, ndalon fyerjen dhe ngre respektin në themel të bashkëjetesës. Është thirrje për vetëpërmbajtje, vëllazëri dhe dashuri aktive që sjell harmoni shoqërore. Nxitja e urrejtjes është mëkat i rëndë dhe tradhti ndaj frymës së këtij muaji. Ta ruajmë vëllazërinë dhe kombin tonë, me zemër të pastër dhe vendosmëri që dashuria të triumfojë mbi çdo përçarje”, u shpreh kreu i Bashkësisë Islame në Kosovë, Naim Tërnava.
“Në këtë muaj të shenjtë, rëndësi të veçantë ka edhe dimensioni social i besimit. Ramazani na fton të forcojmë solidaritetin, të shtojmë ndihmën ndaj nevojtarëve, të jemi pranë të dobtëve dhe të kontribuojmë për një shoqëri më të drejtë dhe më humane. Në një kohë kur shoqëria përballet me sfida të ndryshme, Ramazani na kujton rëndësinë e unitetit, të paqes dhe të bashkëjetesës. Ai na mëson se besimi i vërtetë reflektohet në sjellje të mirë, në respekt ndaj tjetrit dhe në përkushtim për të mirën e përbashkët. Në emërin tim dhe të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, ju uroj që ky muaj i bekuar të jetë burim paqeje, shprese dhe force shpirtërore për të gjithë. Allahu e pranoftë agjërimin, lutjet dhe veprat tuaja të mira!”, u shpreh kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu.
