Botë
Negociatat Iran – SHBA, Teherani nuk i pranon vijat e kuqe amerikane
18.02.2026 16:16
Raundi i dytë i negociatave bërthamore mes ShBA-së dhe Iranit përfundoi me marrëveshjen për vazhdimin e bisedimeve...

Raundi i dytë i negociatave bërthamore mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit përfundoi me marrëveshjen për vazhdimin e bisedimeve, por Teherani ende nuk i pranon “vijat e kuqe” amerikane. Vendimin përfundimtar nëse diplomacia do të vazhdojë do ta marrë presidenti amerikan Donald Trump, i cili thot se SHBA-të nuk do të lejojnë që Irani të pajiset me armë bërthamore.
“Presidenti i ka të gjitha opsionet në tryezë. Negociatat kaluan pjesërisht mirë dhe është rënë dakord për një takim të ri, por Irani ende nuk i pranon vijat e kuqe të vendosura. Do të vazhdojmë bisedimet, ndërsa vendimin përfundimtar do ta marrë presidenti. Fokusi kryesor mbetet parandalimi i Iranit që të posedojë armë bërthamore.”, - deklaroi zëvendëspresidenti i ShBA-së, JD Vance.
Irani shprehu optimizëm lidhur me bisedimet, duke theksuar se është hapur një dritare e re për arritjen e një marrëveshjeje, por se vendi mbetet i gatshëm të mbrohet nga çdo kërcënim.
“Irani dhe ShBA-ja ranë dakord për parimet bazë dhe arritën mirëkuptim për çështjet kyçe, por kjo nuk do të thotë se marrëveshja përfundimtare është pranë. Shpresoj që negociatat të çojnë drejt një zgjidhjeje të qëndrueshme dhe të dakordësuar, e cila do t’u shërbejë interesave të të gjitha palëve të përfshira.”, - theksoi ministri i Jashtëm i Iranit, Abas Aragçi.
Paralelisht me negociatat, Irani mbylli Ngushticën e Hormuzit për stërvitje ushtarake, ndërsa anijet amerikane janë dislokuar në Lindjen e Mesme. Tensionet po rriten pas kërcënimeve të Trump për një ndërhyrje të mundshme dhe paralajmërimeve të Ali Khamenei se edhe ushtria më e fuqishme ndonjëherë mund të pësojë një goditje nga e cila nuk do të mund të ngrihet më.
“Presidenti i ShBA-së vazhdimisht thotë: ‘Ushtria jonë është më e forta në botë’, por edhe ushtria më e fuqishme në botë ndonjëherë mund të marrë një shuplakë të tillë sa të mos mund të qëndrojë më në këmbë.”, - u shpreh udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei.
Ndërkohë, Irani shënoi 40 ditë zie pas një prej protestave më vdekjeprurëse muajin e kaluar. Mbështetës të qeverisë, gjatë ceremonisë shtetërore, kanë brohoritur “Vdekje Amerikës dhe Izraelit”, ndërsa të tjerë kërkonin drejtësi për të vrarët.
“Mos lejoni që gjaku të harrohet. Jo vetëm gjaku i bashkëshortit tim – dua drejtësi për çdo njeri të vrarë.”, - tha bashkëshortja e një viktime, Satari.
“Jam këtu për të kërkuar drejtësi për gjakun e djalit tim. Kërkoj drejtësi për ata që e vranë. Ai doli nga shtëpia për të blerë ilaçe dhe më pas u qëllua pas qoshes.”, - tha babai i një viktime, Ahmad Maranaki.
Aktivistët për të drejtat e njeriut në ShBA theksojnë se në protestat në Iran kanë humbur jetën mbi 7.000 persona, ndërsa shifra zyrtare e Iranit është 3.117. Sipas tyre, numri i viktimave është konfirmuar përmes rrjeteve lokale, pasi qasja në informacion në vend mbetet e kufizuar.
FITORE NAGAVCI
