Maqedoni

Vazhdimi i afatit për legalizimin e ndërtimeve pa leje dhe paga minimale prej 600 eurosh para deputetëve

19.02.2026 09:05

Deputetët sot do të shqyrtojnë dy propozim-ligje të rëndësishme...

Deputetët sot do të shqyrtojnë dy propozim-ligje të rëndësishme – ndryshimet në Ligjin për veprim me objektet e ndërtuara pa leje, të paraqitura nga deputetë të VMRO-DPMNE dhe koalicioni, si dhe ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për pagën minimale, të propozuara nga grupi parlamentar i SDSM-së dhe koalicioni.
 
Me propozimin e parë kërkohet vazhdimi i afatit për legalizimin e ndërtimeve pa leje për pesë vite shtesë, përkatësisht ligji të vlejë deri më 3 mars 2031. Propozuesit arsyetojnë se qëllimi është të mundësohet siguri juridike për qytetarët që tashmë kanë dorëzuar kërkesa dhe procedurat e të cilëve janë në vijim.
 
Me propozimin e dytë parashihet që paga minimale të jetë 600 euro, që sipas propozuesve është përgjigje ndaj kërkesave të sindikatave dhe nevojës për një standard më të lartë jetese.
 
Para deputetëve në seancën e sotme është edhe Propozim-rezoluta për respektimin e standardeve të procedurës së drejtë në gjykimin ndërkombëtar kundër ish-krerëve të institucioneve të Republikës së Kosovës, e paraqitur nga BDI.
 
Në Kuvend do të mbajnë seancë edhe Komisioni për transport, transformim digjital, mjedis jetësor dhe planifikim hapësinor, si dhe Komisioni për çështje juridike-ligjvënëse.