Botë
Ushtria amerikane e gatshme të sulmojë Iranin
19.02.2026 11:11
Ushtria amerikane është e përgatitur të ndërmarrë një sulm të mundshëm ndaj Iranit që këtë fundjavë...

Ushtria amerikane është e përgatitur të ndërmarrë një sulm të mundshëm ndaj Iranit që këtë fundjavë, megjithëse presidenti Donald Tramp ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar për autorizimin e veprimeve ushtarake.
Zyrtarët më të lartë të sigurisë kombëtare u mblodhën në Sallën e Situatave në Shtëpinë e Bardhë për të shqyrtuar situatën. Presidenti u informua gjithashtu nga i dërguari i posaçëm Stiv Uitkof dhe Jared Kushner mbi bisedimet indirekte me Iranin që u zhvilluan në Gjenevë. Takimi disaorësh mes negociatorëve amerikanë dhe iranianë përfundoi pa një marrëveshje konkrete, megjithëse palët ranë dakord mbi disa “parime udhëzuese”. Sekretarja e shtypit, Karolin Leavit, deklaroi se Irani pritet të paraqesë më shumë detaje mbi pozicionin e tij negociues brenda dy javëve të ardhshme, por nuk konfirmoi nëse veprimet ushtarake do të pezullohen gjatë kësaj periudhe. Ajo theksoi se diplomacia mbetet opsioni i parë, por se “veprimi ushtarak është ende në tryezë”.
Tensionet janë shtuar edhe për shkak të lëvizjeve ushtarake në terren. Anija luftarake USS Gerald R. Ford, një nga grupet më të avancuara të aeroplanmbajtëseve amerikane, mund të mbërrijë në rajon këtë fundjavë. Gjithashtu, asetet e Forcave Ajrore Amerikane të vendosura në Mbretërinë e Bashkuar po ripozicionohen më afër Lindjes së Mesme. Nga ana tjetër, Irani po forcon disa prej objekteve të tij bërthamore, sipas analizave të fundit satelitore, mes frikës për një përshkallëzim të mundshëm ushtarak.
