Çair, PDU për USHT dhe ITShK, në fazën përfundimtare
Plani detal urbanistik për Universitetin Shtetëror të Tetovës dhe Institutin për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve...
Plani detal urbanistik për Universitetin Shtetëror të Tetovës dhe Institutin për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve tani më po hyn në fazën përfundimtare, i cili plan punohet nga ana e Agjencisë për Planifikim Hapësinor.
Në këtë plan detal është e paraparë të ndërtohet Universiteti Shtetëror i Tetovës, i cili do të ketë një sipërfaqe të parcelës ndërtimore prej 22 mijë e 880 m2, prej të cilave 15 mijë e 700 m2 përfshin baza e sipërfaqes së ndërtimit, ndërsa 94 mijë e 200 m2 do të jetë sipërfaqja e ndërtimit në kate.
Lartësia maksimale sipas planit detal është 25 metra, ose përdhes dhe pesë kate.
Në gjithë këtë sipërfaqe është paraparë të ndërtohet kampus universitar, në të cilin do të përfshihen të gjithë elementet e një kampusi modern. Në këtë plan detal është paraparë të ndërtohet edhe Instituti për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve.
Instituti në fjalë do të ketë një sipërfaqe të parcelës ndërtimore prej 2 mijë e 628 m2, prej të cilave 1 mijë e 575 m2 përfshin baza e sipërfaqes së ndërtimit, ndërsa 7 mijë e 875 m2 do të jetë sipërfaqja e ndërtimit në kate.
Projekti i planit me shtojcat grafike do të eksponohet në lokalet e Komunës së Çairit, në periudhën prej 8 qershor deri më 19 qershor, çdo ditë pune prej orës 08:30 deri më 16:30.
