Maqedoni

Shtyhet seanca gjyqësore për ish-funksionarët e Higjienës Komunale

19.02.2026 14:14

Ende pa filluar, gjykimi për ish-drejtorin dhe shefin e Higjienës Komunale të Shkupit është shtyrë....

Ende pa filluar, gjykimi për ish-drejtorin dhe shefin e Higjienës Komunale të Shkupit është shtyrë. Mbrojtja nuk ka kryer inspektim të provave, prandaj ka kërkuar që në seancën e ardhshme, të akuzuarit të përgjigjen nëse ndihen fajtorë.
 
“Ky është një material voluminoz nga fusha e evidencës së kontabilitetit të ndërmarrjes publike komunale, higjienës komunale. Do të bëjmë një inspektim dhe do të shohim për çfarë evidence të kontabilitetit bëhet fjalë, për çfarë materiali provues nga fusha e punës së ndërmarrjes publike bëhet fjalë, dhe do të marrim një qëndrim të përbashkët, për të cilin edhe ju jeni informuar për seancën kryesore të ardhshme dhe do të dini se çfarë qëndrimi do të ketë mbrojtja.”, - deklaroi avokati, Asimir Alispahiq. 
 
Ish-drejtori i Komunales, Sabahudin Rustemi, dhe kolegu i tij, Aki Saiti, sipas akuzës, në tetor të vitit të kaluar, duke mos mbledhur plehrat nga kontejnerët, mund të kishin rrezikuar shëndetin e njerëzve dhe të shkaktonin ndotje të tokës, ujit dhe ajrit. Rustemi nuk i kishte respektuar vendimet e bordit menaxhues, prandaj, edhe pse ishte i obliguar të mbledhë mbeturinat dhe të kujdeset për gjendjen e automjeteve, nuk i ka kryer detyrat e tij, thonë nga Prokuroria. Për këtë kishte ndihmë nga i akuzuari i dytë, me të cilin së bashku kanë mundësuar krijimin e deponive ilegale nëpër qytet. Për këtë vepër penale ligji parasheh dënim prej 1 deri në 10 vite burg. Seanca e radhës është caktuar për më 26 mars.
 
ARMEND MURSELI