Rajon

PDK: Besojmë në pafajësinë e krerëve të UÇK-së

19.02.2026 14:35

PDK ka thënë se beson në pafajësinë dhe lirinë e UÇK-së..

Një ditë pas fjalës përfundimtare të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës para Dhomave të Specializuara në Hagë, Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se beson në pafajësinë dhe lirinë e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, derisa pret vendim të drejtë dhe të pandikuar. Nga kjo parti theksojnë se presin dhe kërkojnë që vendimi gjyqësor të jetë i drejtë, i paanshëm dhe i bazuar ekskluzivisht në fakte dhe prova, larg çdo narrative apo perceptimi politik.
 
“Lufta e popullit të Kosovës për liri ishte një luftë e drejtë, çlirimtare dhe e domosdoshme për mbijetesë përballë një regjimi shtypës. Kjo është një e vërtetë historike, e njohur nga qytetarët tanë dhe e konfirmuar nga rrjedha e zhvillimeve ndërkombëtare që çuan në ndërhyrjen e NATO-s dhe shpalljen e pavarësisë së Kosovës.”, theksuan nga PDK. 
 
Spiropali: Krerët e UÇK-së janë të pafajshëm
 
Edhe ministrja e Punëve të Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, kërkoi drejtësi për krerët e UÇK-së, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin. Ajo njëherësh theksoi se Shqipëria do të mbrojë drejtësinë e luftës së drejtë të Kosovës.
 
“Proceset në Hagë kanë një rëndësi të veçantë. Shqipëria është dhe do të mbetet e angazhuar ndaj drejtësisë ndërkombëtare, por drejtësia ndërkombëtare nuk është një koncept abstrakt, ajo matet me standardet e barazisë, me koherencën e saj dhe në aftësinë që të mos kthehet në instrument leximi të njëanshëm të historisë. Lufta e Kosovës nuk ishte një konflikt për pushtet, ishte një luftë për mbijetesë dhe liri. Ky është një fakt i dokumentuar ndërkombëtarisht gjerësisht dhe thellësisht. Për këtë arsye, çdo proces gjyqësor që lidhet me atë periudhë duhet të zhvillohet me një vetëdije të plotë për kontekstin, për disproporcionin e forcës dhe për realitetin e krimeve të kryera ndaj popullsisë civile.”, - deklaroi ministrja e Punëve të Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali.
 
Në fjalët e tyre përfundimtare, katër ish-krerët e UÇK-së një ditë më parë deklaruan njëzëri pafajësinë, duke theksuar se përgjegjës për çdo dhunë dhe masakër në Kosovë ishte regjimi i Sllobodan Millosheviqit dhe politikat e tij gjenocidale, jo UÇK-ja. Ata kërkuan nga gjykata të marrë një vendim të drejtë, duke njohur rolin e UÇK-së si forcë çlirimtare dhe duke konfirmuar se lufta e tyre ka qenë një luftë për dinjitet, liri dhe mbrojtjen e popullit të Kosovës.
 
GYLTENE SINANI