Maqedoni

Ndryshimet e Ligjit për legalizimin e objekteve, Kuvendi jep dritë jeshile, shtyhet afati për pesë vjet

19.02.2026 14:44

Kuvendi me procedurë të shkurtuar votoi propozim-ligjin për ndryshimin e Ligjit për procedurat me objektet e ndërtuara pa leje.....

Me 67 vota për dhe 5 kundër, Kuvendi me procedurë të shkurtuar votoi propozim-ligjin për ndryshimin e Ligjit për procedurat me objektet e ndërtuara pa leje. Me këtë ligj, mijëra objekte të paligjshme që janë në procedurë legalizimi pritet të legalizohen, gjegjësisht në vend të pesëmbëdhjetë, ligji do të vlejë gjithsej njëzet vite, deri më tre mars të vitit 2031. Ky ndryshim nuk parashikon kërkesa të reja, por është në shërbim të atyre qytetarëve, të cilët veç më kanë dorëzuar dokumentacion dhe me vite presin fletpronësinë.
 
“Me shtyrjen e afatit, mijëra qytetarë do të ngelnin në vakum ligjor, jo për fajin e tyre, por për shkak të moszgjidhjes së procedurave gjyqësore pronësore. Një numër i madh i lëndëve vetëm se kanë filluar, një pjesë kanë ngecur në gjykatë, disa në procedura administrative që zgjasin me vite.”, - deklaroi Bisera Zllateska nga VMRO-DPMNE.
 
Ndryshimet ligjore gjetën mbështetje edhe nga deputetët e Koalicionit VLEN. 
 
“Theksohet qartë se zgjatja e afatit nuk krijon mundësi për paraqitjen e kërkesave të reja. Bëhet fjalë për kërkesa ekzistuese që janë parashtruar deri tani dhe këto kërkesa mund të procedohen edhe për pesë vjet të tjera. Ka qëllim ekskluzivisht të përfundimit të rasteve tashmë të nisura, në përputhje me ligj.”, - theksoi Bekim Qoku nga VLEN.
 
Opozita maqedonase kërkon zgjidhje të përhershme të kaosit ilegal ndërtimor, sipas një plani urbanistik.
 
“Të mendohemi nëse duhet në përgjithësi ta ndryshojmë sistemin për planifikim urbanistik, sistemin për ndërtim, i cili nuk do të varet nga vullneti i subjekteve politike ose bartësit funksionalë në nivel lokal, por e definuar në korniza ligjore.”, - u shpreh deputeti i LSDM-së, Oliver Spasovski. 
 
Nisma ka ardhur nga komuna e Manastirit dhe me mbështetje të BNjVL-së dhe komunave të cilat në përditshmëri përballen me problemet reale të qytetarëve. Ndryshimet ligjore hyjnë në fuqi pas publikimit në gazetën zyrtare. 
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU