Maqedoni
Muaji i shenjtë i Ramazanit, Fetahu: Të përmirësojmë veten dhe të ndihmojmë të tjerët
19.02.2026 15:00
Me fillimin e muajit të shenjtë të Ramazanit, besimtarët e fesë islame janë duke përjetuar një periudhë të veçantë të përkushtimit dhe reflektimit shpirtëror....

Me fillimin e muajit të shenjtë të Ramazanit, besimtarët e fesë islame janë duke përjetuar një periudhë të veçantë të përkushtimit dhe reflektimit shpirtëror. Kreu i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni Reis Ulema Shaqir Fetahu për TVM2 tha se agjërimi, si një nga pesë shtyllat kryesore të Islamit, nuk është vetëm heqja e ushqimit dhe pijeve gjatë ditës, por edhe një mundësi për pastrimin e mendjes, forcimin e vullnetit dhe ndihmën ndaj të tjerëve.
“Në momentin kur ai ndjen urinë dhe etjen, tek ai ngjallen ndjenjat e humanizmit, solidaritetit dhe e bën atë të kuptoj se çfarë do të thotë etje dhe çfarë do të thotë uri, e bën që të ketë kujdes të veçantë ndaj të gjithë të tjerëve, ndaj të tjerëve që përjetojnë vështirësi nga skamja dhe varfëria.”, - deklaroi kryetari i BFI-së, Shaqir Fetahu.
Ai shpjegoi pak edhe historikun e agjërimit.
“Agjërimi është fenomen historik, ekziston prej ditës së parë të ardhjes së njeriut në këtë botë, ka agjëruar Ademi A.S. tre ditë në muaj, ka agjëruar Davudi A.S. një ditë po një ditë jo, d.m.th gjysmën e vitit, ka agjëruar Musau A.S., Isau A.S., ndërsa me ardhjen e shpalljes së fundit, pra kuranit famëlartë njëherë e përgjithmonë agjërimi merr formën e plotë hyjnore, racionale që ka edhe dobitë e saj.”, - theksoi kryetari i BFI-së, Shaqir Fetahu.
Në fund, ai dha mesazhin që të gjithë besimtarët myslimanë të shfrytëzojnë të gjitha begatitë që ua sjell ky muaj i bekuar, duke përmirësuar vetveten dhe për të ndihmuar të tjerët.
ARMEND MURSELI
