Maqedoni

VMRO-DPMNE dhe LSDM përplasen për rritjen e pagës minimale

19.02.2026 15:18

Kanë vazhduar përplasjet mes pozitës dhe opozitës për sa i përket rritjes së pagës minimale....

Kanë vazhduar përplasjet mes pozitës dhe opozitës për sa i përket rritjes së pagës minimale. Për VMRO-DPMNE-në dhe deputetin e kësaj partie, Bojan Stojanovski, kjo parti edhe kur ishte në opozitë, por edhe tani në ekzekutiv ka treguar se është në anën e punëtorëve. Sipas tij, pas dy vitesh qeverisjeje të vendit, VMRO-DPMNE po flet për marrëveshje të realizuara dhe rritje të pagave deri në 60 për qind.  
 
“Në komuna, pagat janë rritur mesatarisht me rreth 5.000 denarë. Në arsimin fillor dhe të mesëm kemi siguruar rritje prej 46% deri në 60% në një periudhë katërvjeçare. Në arsimin e lartë, rritja është të paktën 14%. Në kujdesin shëndetësor - nga 40 në 50% në një mandat. Policët morën 10%, punonjësit socialë 20%, dhe rreth 11.000 administratorë, zyrtarë gjyqësorë dhe prokurorialë kanë një rritje të garantuar prej 40% deri në vitin 2028. Të gjitha marrëveshjet kolektive respektohen. Pagat paguhen rregullisht. Këto janë zgjidhje sistemike, jo improvizime. Kështu e zbaton kjo qeveri marrëveshjen me punëtorët. Ne nuk i shmangemi dialogut për pagën minimale, por zgjidhjet duhet të sillen në mënyrë institucionale - në Këshillin Ekonomik dhe Social, me një qasje të qëndrueshme që mbron si ekonominë ashtu edhe buxhetin.”, - deklaroi Bojan Stojanovski nga VMRO-DPMNE.
 
Por, në këtë kanë reaguar nga LSDM-ja opozitare. Sipas tyre, nëse VMRO-DPMNE ka qenë aq shumë e brengosur për punëtorët, atëherë është koha që VMRO-DPMNE ta pranojë propozim-ligjin për rritjen e pagës minimale.
 
“Ligji për Pagën Minimale i paraqitur nga grupi parlamentar i LSDM-së dhe koalicioni është në agjendë në Parlament. Ky ligj është një përgjigje reale dhe konkrete ndaj kërkesave të sindikatave dhe punëtorëve - një pagë minimale prej 600 eurosh për një jetë dinjitoze. Për më tepër, grupi parlamentar i LSDM-së ka propozuar tashmë zëra specifikë buxhetorë nga të cilët mund të sigurohen fonde për të rritur pagën minimale. Kjo do të thotë - ka para, e tëra çfarë nevojitet është vullneti politik. Nuk ka më justifikim se nuk ka para. Të gjithë deputetët duhet ta mbështesin Ligjin dhe të votojnë për një pagë minimale prej 600 eurosh. Pa justifikime. Pa llogaritje. Është koha të hiqet luksi i qeverisë dhe që punëtorët të marrin pagat që meritojnë.”, - thuhet në komunikatën e LSDM-së.
 
Sipas VMRO-DPMNE-së, punëtorët meritojnë siguri, një kontratë që funksionon dhe një politikë që jep rezultate dhe se të gjitha këto masa dhe një pagë më e lartë minimale mund të arrihet vetëm përmes dialogut dhe pa e dëmtuar buxhetin e shtetit.  
 
FITIM KRYEZIU