Maqedoni
Seancë në Komunën e Strugës për situatën me ujin e pijshëm në Strugë
19.02.2026 15:25
Sot në Komunën e Strugës u mbajt një seancë e jashtëzakonshme lidhur me situatën e krijuar me ujin e pijshëm në fshatin Shume....

Sot në Komunën e Strugës u mbajt një seancë e jashtëzakonshme lidhur me situatën e krijuar me ujin e pijshëm në fshatin Shume. Në këtë seancë u diskutua për gjendjen aktuale, dëmet e shkaktuara dhe masat e ndërmarra nga institucionet përkatëse. Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, bëri të ditur se menjëherë pas paraqitjes së problemit janë ndërmarrë hapa konkretë dhe janë njoftuar të gjitha institucionet kompetente. Qyra theksoi se së bashku me ekspertë kanë dalë në terren, ku gjendja është vlerësuar si shumë e rëndë dhe me dëme serioze në burimin e ujit në Shume.
“Unë së bashku me profesorin dolëm në vendin e ngjarjes dhe vizualisht u konstatua se gjendja është katastrofike. Konstatuam se gërmimet e kryera nga dy kompani, ndër vite janë evidente dhe shumë të mundshme të jenë shkaku kryesor i dëmit aktual. Atje ka gërmime të thella dhe dëme që me vështirësi do të mund të riparohen. Deri tani kemi konstatuar se dëmi është bërë edhe më i madh, sepse nuk është ndërmarrë asgjë për të mbrojtur këtë aset natyror.”, - deklaroi kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra.
Në këtë seancë u diskutua edhe për mungesën e masave mbrojtëse ndër vite dhe lejimin e aktiviteteve që kanë ndikuar negativisht në këtë zonë të ndjeshme.
“Lejimin e gërmimeve për më shumë se 10 vite pa kritere, vetëm për përfitime materiale. Një anomali të rëndë institucionale, ku njëra nga kompanitë ka marrë edhe leje për gërmime në këtë zonë të ndjeshme. Nuk është përcaktuar zona mbrojtëse prej 1 km rreth burimit, e cila është e domosdoshme dhe ndahet në tri zona mbrojtëse.”, - theksoi kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra.
Autoritetet komunale theksuan se mbrojtja e burimit të ujit dhe rikthimi i situatës në normalitet mbetet prioritet, ndërsa institucionet kompetente pritet të ndërmarrin veprime të mëtejshme për zbardhjen e plotë të rastit dhe përcaktimin e përgjegjësive.
FITORE ISTREFI
