Botë
Gjenevë, përfunduan bisedimet për paqe në Ukrainë
19.02.2026 16:53
Kanë përfunduar bisedimet paqësore për luftën në Ukrainë në Gjenevë...

Kanë përfunduar bisedimet paqësore për luftën në Ukrainë në Gjenevë, të cilat sipas delegacioneve të Moskës dhe Kievit kanë qenë të vështira, por me njëfarë përparimi dhe gatishmëri për vazhdimin e negociatave.
“Bisedimet ishin intensive dhe thelbësore. Ka përparim, por në këtë fazë nuk mund të zbulojmë detaje. Qëllimi përfundimtar mbetet një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme.”, - deklaroi sekretari i Këshillit për Siguri Kombëtare dhe Mbrojtje të Ukrainës, Rustem Umerov.
“Negociatat zgjatën dy ditë. Ishin të vështira, por profesionale. Takimi i radhës do të mbahet në një të ardhme të afërt.”, - theksoi shefi i delegacionit rus, Vladimir Medinski.
Nga Shtëpia e Bardhë konfirmuan se do të ketë një raund të ri bisedimesh dhe vlerësuan se ka përparim të konsiderueshëm nga të dyja palët.
“Ka përparim të rëndësishëm nga të dyja palët. Ato janë dakorduar të informojnë liderët e tyre dhe të vazhdojnë të punojnë drejt një marrëveshjeje paqeje. Do të ketë edhe një raund tjetër bisedimesh. Por, duhet të rikujtojmë se ShBA-ja vazhdon të shesë armë për NATO-n, të cilat më pas dërgohen në Ukrainë për mbrojtjen e lirisë në kufijtë e saj.”, - u shpreh zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karolin Leavit.
Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski, ka thënë se është rënë dakord që ShBA-ja të ndjekë zbatimin e armëpushimit.
“Nuk mund të themi se rezultati është i mjaftueshëm. Përfaqësuesit ushtarakë diskutuan seriozisht dhe në mënyrë thelbësore për çështje të caktuara. Megjithatë, çështjet politike të ndjeshme, kompromiset e mundshme dhe takimi i domosdoshëm i liderëve ende nuk janë përpunuar mjaftueshëm. Presim një takim të radhës sa më shpejt.”, - deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Ministria e Jashtme ruse, ka thënë se mbetet e përkushtuar ndaj paqes, por akuzoi palën tjetër për minimin e procesit negociues. Sipas saj, Perëndimi gabon nëse beson se operacioni ushtarak do të ndalet, ndërkohë që Ukraina vazhdon të armatoset.
FITORE NAGAVCI
