Rajon
SHBA-të mund ta sulmojnë Iranin, përgatitet Teherani për një skenar të tillë
20.02.2026 12:19
Irani ka ndërmarrë masa për të treguar gatishmërinë e tij për konflikt...

Ndërsa Shtetet e Bashkuara po shtojnë prezencën ushtarake në Lindjen e Mesme, Irani ka ndërmarrë masa për të treguar gatishmërinë e tij për konflikt, duke forcuar objektet bërthamore dhe rindërtuar fabrikat e raketave.
Negociatorët iranianë dhe amerikanë zhvilluan bisedime indirekte në Gjenevë për rreth tre orë e gjysmë të martën, por pa arritur ndonjë marrëveshje konkrete. Pas sulmit izraelit ndaj Iranit në qershor të vitit të kaluar, i cili shkatërroi pjesë të programit bërthamor dhe fabrikat e raketave, imazhet satelitore tregojnë rindërtim të gjerë. Bazat raketore në Khorramabad, Tabriz dhe Hamadan janë riparuar, duke rikthyer hyrjet dhe pistat e bombarduara. Irani ka rindërtuar gjithashtu fabrikën më të madhe të raketave me karburant të ngurtë në Shahrud, duke e bërë prodhimin e raketave më efikas se më parë, sipas ekspertëve.
Pas konfliktit, Irani ka forcuar Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe krijuar Këshillin e Mbrojtjes, me veteranin Ali Shamkhani në krye. Ky hap shihet si përgatitje për skenarë ekstremë, përfshirë mundësinë e një sulmi amerikan ndaj udhëheqjes së lartë.SHBA-ja ka dislokuar dy aeroplanmbajtëse në rajon, duke rrëzuar një dron iranian dhe duke përballuar afrime kërcënuese nga anije të Gardës Revolucionare. Eksperti Vali Nasr tha për CNN se strategjia iraniane synon të tregojë se një luftë me SHBA do të kishte kosto të larta dhe se Uashingtoni duhet të llogarisë pasojat para çdo sulmi.
