Botë
Trampi sërish kërcënon Iranin, mbështetje nga Izraeli, Britania e Rusia kundër
20.02.2026 14:08
Trump sërish ka paralajmëruar Teheranin që të arrijë një marrëveshje për programin bërthamor brenda një afati të caktuar...

Presidenti amerikan Donald Trump sërish ka paralajmëruar Teheranin që të arrijë një marrëveshje për programin bërthamor brenda një afati të caktuar, përndryshe do të përballet me pasoja serioze. Trampi ka deklaruar se Irani ka "10 deri në 15 ditë" për të arritur marrëveshjen lidhur me programin e tij bërthamor, duke paralajmëruar se, në rast të dështimit, "do të ndodhin gjëra shumë të këqija".
“Mund të bëjmë hapin e ardhshëm, ose mund të arrijmë një marrëveshje. Do ta dini brenda dhjetë ditëve të ardhshme. Irani duhet të zgjedhë një rrugë tjetër nëse dëshiron stabilitet në rajon, përndryshe do të ndodhin gjëra të këqija.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
Paralajmërime për Iranin kanë ardhur edhe nga Izraeli, ndërsa vendi përgatitet për një sulm të përbashkët me ShBA-në.
“Jemi të gatshëm për çdo skenar dhe një gjë është e sigurt – nëse Ajatollahu bën një gabim dhe na sulmojnë, do të marrin një përgjigje që as nuk mund ta imagjinojnë.”, - theksoi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
Nga ana tjetër, Britania nuk mbështet sulmin e ShBA-së ndaj Iranit dhe nuk do të hapë bazat e saja. Rusia bën thirrje për të treguar vetëpërmbajtje, ndërsa Polonia i ka kërkuar qytetarët e saj të largohen nga Irani. Nga ana e tij, Teherani ka paralajmëruar se në rast sulmesh nga ShBA-ja, do të sulmojë "të gjitha bazat, asetet dhe interesat amerikane në rajon", duke deklaruar se përgjegjësia për çdo zhvillim do të bie mbi Shtetet e Bashkuara. Uashingtoni kërkon që Irani të ndalojë programin e armatimit bërthamor, pasurimin e uraniumit dhe të pranojë kufizime në programin raketor. Irani ka shprehur gatishmëri për të ndaluar programin e armatimit bërthamor, por refuzon të ndalojë pasurimin e uraniumit dhe të pranojë kufizime në programin raketor.
BELINDA KOKA ADEMI
